PD: Dritan Dajti u lirua nga drejtësia e re

TIRANE, 10 shkurt/ATSH/- Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj për vendimin e gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për Dritan Dajtin.

Në një njoftim për shtyp, PD shprehet se dy ministrat reaguan pas tre ditësh pas presionit ndërkombëtar dhe revoltës së opinionit publik lidhur me këtë vendim të gjykatës.

“Lotët e krokodilit nuk e ndryshojnë dot faktin se vrasësi i 4 Dëshmorëve të Atdheut, Dritan Dajti, është praktikisht i liruar nga drejtësia e re e Edi Ramës”, shprehet PD.

“Edi Rama heshti kur Gjykata e Lartë ndihmoi Dritan Dajtin, heshti edhe 3 ditë më parë, pas vendimit skandaloz për Dritan Dajtin. Ministrja e Drejtësisë duhet t’i kërkojë prokurorisë që të zbardhë përgjimet nga burgu të Dritan Dajtit dhe t’u thotë shqiptarëve kë shantazhon nga burgu vrasësi i 4 policëve në krye të detyrës dhe se kush i ka dalë Dritan Dajtit garant për lirimin e tij të shpejtë?”, deklaron PD. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.