Ligji i legalizimeve, Frroku: Mbi 200 mijë familje pronarë legjitimë në pallate

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/- Ndryshimet në ligjin për legalizimet, garantojnë më shumë se 200 mijë familje të bëhen pronarë legjitimë të shtëpive të tyre në pallate.
Kështu deklaroi Drejtoresha e ALUIZNI-t Tirana 2, Eglantina Frroku, në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ku theksoi se “në shkallë vendi për proces legalizimi është evidentuar një numër prej 1200 vetëdeklarimesh për pallatet, në Tiranë janë 130 deklarime të kryera nga subjektet ndërtuese dhe 57 nga banorët”.
Frroku u shpreh në intervistën dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare se ”në 11 janar të 2017 Këshilli i Ministrave miratoi vendimin nr 19, i cili i ka hapur rrugë legalizimit të pallateve qoftë në emër të subjekteve ndërtuese ose dhe në rastet kur këto objekte janë braktisur nga ndërtuesi legalizimi të vazhdoj në emër të poseduesve të njësive individuale apartamente, dyqane, garazhde sipas kontratave që ata disponojnë”.
“Një pjesë e këtyre deklarimeve janë si nga ndërtuesit po ashtu dhe nga poseduesit”, tha Frroku, ndërsa shpjegoi se, në këtë proces, bashkëpunimi i qytetarëve ka qenë i lartë.
Për të gjithë qytetarët e interesuarit pranë drejtorisë së ALUIZNI-t Tirana 2, rreth procedurave të legalizimit për pallatet e tyre, u është vënë në dispozicion gjithë informacioni i nevojshëm sesi kryhet legalizimi i pallateve dhe dokumentacionet që duhen për dosjet përkatëse.
Frroku gjithashtu shtoi se, “dokumentet që duhet të administrohen në dosje, është formulari i lejes së ndërtimit nga bashkia si dhe dokumentacioni i akt ekspertizës mbi qëndrueshmërinë e objektit si dhe kontratat e porosive midis subjektit ndërtues dhe porositësve”.
”Në Tiranë janë emetuar 8 leje legalizimi në emër të subjekteve ndërtuese të cilët kanë kryer ndërtimin e pallateve dhe nëse i konvertojmë në leje për banorë është 220 leje legalizimi dhe janë gati dhe 200 leje po për shkak të procesit gjyqësor janë të pezulluara”, u shpreh Frroku.
Frroku theksoi se “numri më i madh i pallateve të palegalizuara ndodhet në qytetet e mëdha pasi aty ka patur një bum ndërtimesh në vitet 1995 dhe më pas ku numri më i madh ndodhet në Tiranë, Durrës dhe Vlorë”.
Ajo tha se “vetëdeklarimet e kryera nga qytetarët për të futur në proces shtesat e tyre pa leje të ndërtuara në objekte me leje, ka ecur me rritje progresive. Që prej fillimit të vitit 2014 deri në 31 dhjetor 2018, drejtoria e ALUIZNI-t Tirana 2, ka emetuar 5100 leje legalizimi, ndërkohë që në qarkun e Tiranës gjatë këtij harku kohor, janë emetuar 41 mijë leje legalizimi duke hequr Kavajën që është pjesë e qarkut të Tiranës por që administrohet nga drejtoria e ALUIZNI-t Kavajë”.
”Aktualisht po i japim përparësi vetëdeklarimeve të kryera në vitin 2005-2006, por pa lënë pas deklarimet e kryera në vitin 2013 -2014 dhe 2015, kemi bërë një radhë paraqitjesh deklarimesh në mënyrë që ata që kanë aplikuar të parët të fitojnë shërbimin të parët”, u shpreh Frroku.
Ajo bëri të ditur se, ”pas miratimit të VKM-së dhe pas thirrjes që i bëri ALUIZNI të gjitha subjekteve ndërtuese për t’u paraqitur dhe interesuar për ndërtimet e tyre në proces legalizimi, ka një interes të madh qoftë nga firmat ndërtuese dhe banorët. Firmat ndërtuese kanë kryer vetëdeklarimin e tyre brenda 30 ditësh pas miratimit të vendimit”.
Ajo tha se “rasti i fundit i suksesit ishte javën e kaluar në zonën e Kasharit është pajisur një subjekt me leje legalizimi nga e cila kanë përfituar 300 banorë të cilët banonin në atë kompleks”.
”Vendimi u jep të drejtën banorëve që të deklarojnë apartamentet në emër të tyre në raste kur objekti është braktisur nga ndërtuesi dhe procedura ligjore është që nëse nuk ka vetëdeklaruar firma ndërtuese edhe pas thirrjes së ALUIZNI-t, atëherë bëhet shpallja e apartamenteve dhe vazhdimi i procedurave në emër të banorëve duke dorëzuar secili kontratën e vet të porosisë. Në këtë mënyrë bëhet evidentimi apartament për apartament dhe për çdo njësi tjetër individuale po nga ALUIZNI duke gjeneruar dhe materialin administrativ genplan dhe planimetri, dhe më pas vijohet emetimi i lejes së legalizimit në emër të banorëve për sipërfaqen që ata disponojnë”, shpjegoi Frroku. /e.xh/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.