FOTO/Kurorës së gjelbër në Pukë i shtohen 100 pisha të buta

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/- Qytetit të Pukës iu shtuan ditët e fundit edhe 100 pisha të buta, në kuadër të aksionit për mbjelljet e reja të drurëve dekorativë.

Mbjellja e pemëve të reja tashmë është kthyer në traditë, pasi vit pas viti në qytete dhe zona të mbrojtura po mbillen pemë të reja.

Bashkia e Pukës bën të ditur se “në vijim të pyllëzimeve të reja kurorës së gjelbër të Pukës i shtohen edhe 100 drurë pishë e butë, kontribut nga të rinjtë e ECOVOLIS”.

“Ndryshe nga vite më parë, ku bëheshin tendera për pyllëzime, të cilave nuk u dihet nam e nishan, realitetet aktuale nuk duan komente”, shprehet bashkia.

Bashkia e Pukës synon që gjatë këtij viti të vijojë me mbjelljen e drurëve dekorativë, në mënyrë që qyteti të ketë më shumë hapësira të gjelbra.

Puka gjithnjë e më shumë po merr një fizionomi tjetër, duke u bërë më tërheqëse për qytetarët dhe vizitorët, për shfrytëzimin e potencialeve të turizmit apo agroturizmit.

Aktualisht falë edhe investimeve të qeverisë për rikualifikimin urban të qendrës së qytetit, mozaiku mjedisor që ofron Puka përbën tashmë edhe një destinacion turistik të veçantë./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.