Denoncimi i qytetarit, ndëshkohet drejtuesja me uniformë policie

200

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/- Një qytetar denoncoi me video në adresën zyrtare të Policisë së Shtetit, një shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ku drejtuesja e mjetit mbante veshur uniformë policie.

Policia e Shtetit bën të ditur se “policia rrugore e ndëshkoi shkelësen e denoncuar për faktin se është konstatuar duke qarkulluar në korsinë e rezervuar për shërbim publik dhe duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit”.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin që tregojnë duke raportuar në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit në rrjetet sociale apo në Komisariatin Dixhital, shkelje të ndryshme.

Policia e Shtetit siguron ruajtjen e plotë të anonimatit, reagim të shpejtë, profesional e të paanshëm për cilindo që shkel ligjin.

“Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë”, shprehet Policia e Shtetit./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.