Solidaritet njerëzor për familjen nga Kavaja, viktimë e terrorit politik e mediatik

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ “Një fjalë thotë: të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore! Djallëzinë në formën e këmbënguljes në gabim, monstra që kemi mes nesh e ka kthyer në sistem lufte politike”. Kështu e nis reagimin e saj ndaj komenteve për vizitën në familjen e vajzës së mitur në Kavajë, një ditë më parë, zëdhënësja e Qeverisë dhe ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Dhe aq e vërtetë është kjo, sa kur monstra sulmon egërsisht policinë e shtetit për dramën e një të miture të dhunuar nga bashkëmoshatarë të saj, tregtia mediatike intensifikohet si një jehonë e sulmit monstruoz. Ndërsa kur prindërit e gjyshërit e të miturës bëjnë apel publik për t’u lënë të lirë nga pengmarrësit politikë e mediatikë të vajzës, shfaqet në të tërë hipokrizinë e vet shqetësimi i barbarëve për privatësinë e vogëlushes.

Parafytyrojeni për një moment sikur Edi Rama të kishte bërë vetëm një nga krimet e monstrës, apo të kishte thënë vetëm një nga mijëra monstruozitetet të cilave u është dhënë statusi i normalitetit në tregun politik e mediatik të vendit?

Pa bërë asgjë të ngjashme dhe gozhdët e çekanët bien papushim nga sabahu e deri në mesnatë, ndërkohë që së fundmi, në vend se të paktën të ndaleshin në respekt të atyre burrave të vrarë që kërkuan paqe e mirëkuptim për vajzën e tyre, ranë fort në emër të zbulimit të papritur të neneve të ligjit që duhet ta mbronte vajzën nga ato gozhdë të pamëshirshme! Të cilat përsëri, edhe mbrëmë, nuk u ngulën mbi Edi Ramën a mbi mua personalisht, si dëshmitarja e zëdhënesja e kësaj historie barbarie politike e mediatike, po mbi vajzën e mitur e familjen e saj.

Kur gjyshi i vajzës më erdhi në zyrë duke më kërkuar ndihmë për të shpëtuar nga çekanët e sulmit politik dhe gozhdët e tërbimit mediatik, u ndjeva e lehtësuar që së paku nuk jemi të tërë njësoj në sytë e asaj familjeje dhe e rënduar nga pafuqia për ta ndalur atë furi dhunuese mbi ta. U mendova gjatë a duhet ta tregoja takimin me të, edhe pse ai ma kërkoi me lot ndër sy. Në fund të ditës e bëra dhe e mbajta me gatishmëri të plotë pjesën time të baltës, pasi dëshmia ime publike e ndërkreu monstrën megjithë lukuni. Falënderimi në telefon i gjyshit në emër të familjes, ishte gjithcka më nevojitej për t’u ndjerë e qetë në vorbullën e dilemës sime.

Po kur të nesërmen më ra telefoni dhe ne emer te prinderve te vajzes, gjyshi me ftoi në shtëpi, vorbulla e dilemes u rikthye edhe me e forte.

Po kur të nesërmen më ra telefoni dhe në emër të prindërve të vajzës, gjyshi më ftoi në shtëpi, vorbulla e dilemës u rikthye edhe me e fortë.
Ty të faleminderit edhe njëherë tha, po ne s’jemi të qetë! Nuk na mjafton se po na del shpirti nga sulmet e tyre që po na e tresin vajzën para syve! Duam të bëjmë një apel publik, por nuk duam të merremi as me ndërmjetësit që na çojnë ata të opozitës as me ata që na vrasin natën nëpër studio dhe na qajnë ditën, duke na u lutur të dalim me ta në televizor.
Përsëri brenda meje fitoi ndjenja e solidaritetit me ta dhe ideja se mund të isha sadopak e dobishme për ta.  Kur hyra në shtëpinë e tyre pashë përballë një vajzë të dobët me një vështrim të mprehtë që s’do ta harroj. Nxënëse me dhjeta dhe me një karakter dukshëm të fortë, ajo ishte qartësisht e lënduar po aspak e rrëzuar.
Vajza ime ka kurajo të jashtëzakonshme dhe do bëhet dikush, tha i ati. Biseduam gjatë ose me saktë ata kishin nevojë të flisnin dhe në fund ndjeheshin disi të çliruar. Rrëfimi i tyre ishte njerëzor deri në dhimbje dhe mesazhi i tyre  ku e ku më fisnik, më emancipues e më legjitim, se sa kërdia dhe gërdia e fjalimeve patetike, deklaratave politike, statuseve dixhitale dhe telemuhabeteve pa hesap të marra së bashku.
Ajo familje e tronditur në themelet e shpirtit, fliste me respekt për mësuesen, drejtoren e shkollës, policinë e shtetit, agjencive e mbrojtjes së fëmijëve, psikologen veçanërisht dhe lutej për t’u lënë e qetë nga pikërisht ata që të vrasin natën e të qajnë ditën!
Ndërsa monstra e të tij të apo të ngjashmit me të, në politikë e në media u rilëshuan mbi gjysh e babë, medemek në emër të ligjit që sipas tyre u mohon të drejtën të kenë një fytyrë për të thënë para gjithë dynjasë të vërtetat e shpirtit!
Telefonata e gjyshit pasi u publikua biseda jonë ishte kapaku që s’mund të mos e ndaja sot me të gjithë. Mos u mërzit për çfarë do dëgjosh më tha, neve s’ta harrojmë që na dhe mundësinë të çlirohemi! Pas gjithë këtyre ditësh e netësh terrori ku të gjithë kanë folur ç’kanë dashur për ne, ne sot folëm në emrin tonë. Ne nuk kemi frikë nga fytyra jonë dhe jemi krenarë për vajzën tonë, ndërsa turpin le ta mbajnë ata që dihet kush janë!

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.