Punësimi i ekselentëve në administratë, Koçiu: Interes i lartë aplikimesh, kriteret që duhen plotësuar

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ – Rreth një mijë studentë ekselentë kanë aplikuar në portalin “punë të mbarë.al”, për t’u bërë pjesë e Administratës Publike. Lajmin e bëri të ditur Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu gjatë një interviste në studion e Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Gjatë intervistës, drejtoresha e DAP, Koçiu shpjegoi hapat që duhet të ndjekin studentët për të aplikuar, si dhe procesin deri në punësimin përfundimtar të studentëve ekselentë.

Koçiu tha se data e fundit për të aplikuar është 10 shkurti. Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike theksoi se studentët gjatë aplikimit duhet të paraqesin listën e notave, pasi ky është një nga kriteret parësorë gjatë përzgjedhjes.

Drejtoresha e DAP bëri me dije se do të ketë edhe një fazë të dytë, ku studentët që përfundojnë studimet me mesatare mbi 9, mund të aplikojnë e të bëhen pjesë e Administratës Publike. Faza e dytë do të zhvillohet në muajin gusht, kur të ketë përfunduar viti akademik 2018-2019.

Në portalin “punë të mbarë.al” mund të aplikojnë studentë që janë diplomuar në vitin 2017 e më pas. Pjesë e Administratës Publike mund të bëhen jo vetëm studentët që kanë përfunduar të dyja ciklet e studimit, por edhe ata që kanë përfunduar vetëm ciklin e parë, atë Bachelor.

Në fund Koçiu foli edhe për Administratën Publike, ku renditi disa nga hapat që janë bërë për të rritur meritokracinë gjatë rekrutimit të personave në administratë, duke veçuar transparencën gjatë testimeve, të cilat kryhen në mënyrë elektronike. /o.l/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.