Programi “100 fshatrat”, produktet bujqësore të Tushemishtit nën një logo

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ – Ditën e shtunë në fshatin Tushemisht u prezantuan projektet  e disa studentëve, të cilët prej vitesh synojnë që të rrisin potencialin ekonomik të këtyre zonave, duke promovuar turizmin, si dhe produktet bujqësore të zonës. Tushemishti dhe fshati Lin, janë pjesë e projektit të programit “100 fshatra”, program i cili po vendoset në zbatim nga Qeveria, për të kthyer vëmendjen dhe investimet në zonat rurale.

Studentja e arkitekturës prezantoi projektin për këtë zonë ku pritet të rritet turizmi dhe vendosjen e një brendi për prodhimet bujqësore të zonës.

“Tushemishti dallohet për prodhimet bujqësore. Duke u dhënë këtyre produkteve një logo, ato do të kenë më shumë treg, duke rritur në këtë mënyrë edhe prodhimin e të ardhurat. Ne kemi listuar edhe disa projekte infrastrukturore të cilat do të zhvillojnë këto fshatra”, – tha studentja e arkitekturës.

“Tushemishti do të jetë një fshat i mirëfilltë turistik, ku turizmi do të jetë parësor për këtë zonë. Fshati ka hotele luksoze, por edhe bujtina të cilat mbajnë gjurmë të fshatit të hershëm. Në Tushemisht do të promovojmë edhe turizmin e aventurës. Duam të personalizojmë edhe menutë duke i kthyer në brende, si për shembull qepa e kuqe e Linit, ose mollët e famshme të Zvirinit. Ne kemi menduar që të gjitha këto kanë nevojë për një organizatë e cila të quhet Rajoni i Liqeneve, ku do të bëjnë pjesë fermerë dhe investitorë, të cilët do të tregtojnë produkte dhe ofrojnë shërbime nën një logo të përbashkët. Aktualisht po punojmë mbi librat duka shpalosur atraksionet që ne kemi ndeshur në këto fshatra”, – tha studentja e arkitekturës, e cila prezantoi risitë e projektit për zonën e Tushemishtit, fshatit Lin, si dhe disa fshatrave të tjerë në Pogradec. /o.l/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.