Korçë/ Vlerat kulturore dhe kulinaria do të promovohen përmes teknologjisë

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ – Disa studentë janë duke punuar me qëllim rritjen e potencialit ekonomik të fshatrave, Voskopojë, Dardhë, Drenovë e Boboshticë, pjesë e projektit të qeverisë shqiptare “100 fshatrat”.

Këto 100 fshatra po rindërtohen nga ana infrastrukturore, por edhe po ndihmohen për të zhvilluar e promovuar turizmin dhe ekonominë, duke e shpërndarë më pas këtë model edhe në zona të tjera.

Një prej studenteve që prezantoi risitë e projektit tha se “kjo zonë ka një trashëgimi të pasur me art, kulturë, por dhe kulinari. Ne kemi provuar që të krijojmë lidhje dhe sa më shumë kontakte me këtë rajon”.

Studentja theksoi se teknologjia do të promovojë vlerat dhe pasurive kulturore dhe kulinare të zonës.

“Eksperienca dhe teknologjia do të na shërbejnë për të arritur te konsumatori. Kemi menduar të krijojmë një platformë dixhitale e vendosur në një mjedis fizik. Qendra e platformës do të jetë qyteti i Korçës. Fshatrat që ne flasim e kanë krijuar identitetin e tyre. Këto destinacione janë në hartën e turizmit kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Kjo zonë ofron tre itinerare, të artit e kulturës, të shijes dhe të aventurës. Destinacioni kryesor i shijes është Boboshtica në Korçë. Rakia është një nga produktet që dallon në zonë. Atraksioni i kulturës është mjaft i pasur. Do krijojmë një biletë turistike për të gjithë zonën për kulturën. Inovacioni është ingranazhi kyç që do të zhvillojë turizmin dhe ekonominë”, tha studentja gjatë prezantimit të projekteve qe do të promovojnë dhe zhvillojnë disa fshatra në Korçë. /o.l/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.