FOTO/ “Miushet e shkathëta”, publiku i vogël pjesë e skenës

97

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ – Rikthehet në teatrin Metropol shfaqja shumë e dashur për fëmijët, “Miushet e shkathëta” një shfaqje edukative, interaktive dhe shumë mbreslënëse ku fëmijëve iu bëhet me dije se ku ka dashuri, ka jetë.

Kjo shfaqje do shoqërojë fëmijët nga sot dhe çdo fundjavë në skenën e teatrit nën regjinë e Elona Hysenit dhe me interpretimin e aktorëve Klesta Shero dhe Sara Koçi të cilat do i shoqërojnë të vegjlit në një udhëtim fantastik në hënë.

“Miushet e shkathëta”, është një vepër e autoreve Janet Stanford, Kathryn Chase Bryer, e cila tregon historinë e dy miusheve aventuriere, Neli dhe Emilia të cilat jetojnë në një papafingo.

Miushet nuk dalin asnjëhere nga papafingo dhe kësisoj kanë mbetur pa ngrënë. Por, gjithashtu të kërkosh ushqim jashtë, për to është e rrezkishme. Megjithatë të qënit të varfra nuk i pengon këto miushe t’i mbushin zemrat plot me gëzim dhe të ndërtojnë realitetin që i bën të lumtura.

Neli mendon se hëna është prej djathi dhe kjo ide i bën këto miushe të marrin vendimin për të shkuar në hënë duke nisur kështu një aventure argëtuese plot fantazi. Më në fund ia dalin të shkojnë në hënë dhe aty zbulojnë se ajo nuk është prej djathi. Hëna iu tregon se rrugëtimi i tyre ia vlejti, duke zbuluar tek to se sa zemër mira, trime dhe të shkatheta janë këto miushe të bukura.

Pas kthimit, Neli dhe Emilia gjejnë në shtëpi një kotele të vogël dhe e ndihmojnë për tu bashkuar me nënën e saj. Pikërisht, në atë moment hyn një copë djathë në folenë e tyre, nëna mace ua dhuroi në shenjë falenderimi.

Imagjinata dhe dëshira për t’i mbushur stomakët plot, e kthen këtë udhëtim në një sfidë të jashtëzakonshme, ku me shumë përpjekje, në vrimën e tyre ato ndërtojne një makinë fluturuese, një varkë, etj. Gjatë këtij udhëtimi takojnë miq si nusepashka, ylli i detit dhe i ndihmojnë të bashkohen me fëmijët e tyre.

“Miushet e shkathëta” është një shfaqje për fëmijë të grupmoshës 2- 8 vjeç dhe e bën publikun e vogël pjesë interaktive të saj çdo fundjavë, në Teatrin Metropol, ora 11:00./a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.