Balla thirrje opozitës: Të votojmë së bashku Reformën Zgjedhore

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i bëri thirrje opozitës që të votojë Reformën Zgjedhore, pasi kjo sipas tij është jo vetëm një nevojë e brendshme, por edhe një detyrë e ngarkuar nga Këshilli Europian.

“Këshilli Europian në detyrat e shtëpisë na la edhe miratimin e Reformës Zgjedhore. Ne e kemi bërë detyrën tonë. Mazhoranca ka për detyrë të paraqesë një draft të dakordësuar”, – theksoi Balla në një intervistë televizive.

“Dua t’i bëj thirrje Partisë Demokratike që të vijë në Parlament në 14 shkurt dhe të votojmë së bashku reformën zgjedhore”, – vijoi ai.

Sipas Ballës, drafti i paraqitur i përfshin të gjitha kërkesat e PD-së.

“Drafti i paraqitur i përfshin të gjitha kërkesat e Partisë Demokratike, votim elektronik, numërim elektronik, etj. Ne i kemi lënë opozitës një letër të bardhë që të shkruajë ç’të dojë mbi Reformën Zgjedhore. Kjo nuk ka ndodhur kurrë”, – tha Taulant Balla.

/o.l/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.