Vlerësimi i pedagogëve, Rama: Nuk do digjet më i njomi me të thatin

TIRANË, 8 shkurt ATSH/ – Kryeminsitri Edi Rama në një bashkëbisedim me studentët në Korçë, u shpreh se nevojitet rritje cilësore për universitetin.

Kryeministri u shpreh se, ata që pranojnë të bëhen pjesë e Paktit të Universitetit duhet të garantojnë mbarëvajtjen brenda universitetit, pasi qeveria nuk mund të ndërhyjë brenda tij.

“Ata që bëhen pjesë e këtij pakti të kenë mundësi ta kontrollojnë ecurinë e plotësimit të kërkesave, por ama duhet të garantojnë mbarëvajtjen në universitet, pasi ne nuk vijmë dot të bëhemi pjesë e universitetit. Këto janë çështje të brendshme që i garantojnë ata që do të bëhen pjesë e Paktit”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se me vlerësimin e pedagogëve, pedagogët problematikë do të vendosen me shpatulla pas murit, ndërsa pedagogët e ndershëm do të shpëtojnë një herë e mirë. “Nuk do të digjet më i njomi me të thatin”, u shpreh Kryeministri.

“Të paaftët kërkojnë që t’i bëjnë të gjithë njësoj dhe këtë e shohim kudo, në jetë, shkollë, biznes, punë etj. Duhet të ketë rritje cilësore për universitetin”, tha Rama.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.