Spitali i Korçës, i plotësuar me mjekë specialistë, jo më sorollatje në Tiranë

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ – Investimet në maternitetin e Korçës si dhe në Spitalin Rajonal të tij, kanë mundësuar jo vetëm cilësinë e shërbimit por tashmë qytetarëve nuk i duhet më t’i drejtohen kryeqytetit për shërbim të specializuar.

Kështu deklaroi Kryeministri Rama gjatë bashkëbisedimit me qytetarët korçarë. Rama tha se “me maternitetin e ri ia vlen që të shkoni edhe një herë në maternitet”.

“Kjo për disa arsye, ku së pari, mund t’ju them që shërbimi është fantastik. Së dyti, falë ecurisë pozitive tani bebet vijnë me lekë me vete. Nuk është pak, se nuk është jo vetëm çështje lekësh por edhe frymëzimi dhe solidariteti duke parë të gjitha nënat që kishin evlatët e tyre në krah”, – tha Rama.

Më tej, ai theksoi se në spitalin e Korçës kanë ardhur 15 specialistë të rinj, duke plotësuar edhe mungesat e krijuara ndër vite nga mbyllja që i bëri specializimeve qeveria e kaluar.

“Ndërkohë, në spitalin e Korçës kanë ardhur 15 specialistë të rinj. Boshllëku i disa viteve ku u mbyllën specializimet që solli ulje dramatike të specialistëve, tanimë po mbyllet. Janë duke u mbushur mungesat, pasi me rihapjen e specializimeve me qeverinë tonë, kemi numrin e nevojshëm. Sot Korça ka një ndërthurje të shkëlqyer gjeneratash mes specialistëve të vjetër edhe atyre të rinj, duke bërë të mbarojë historia e ardhjes në Tiranë për të lindur apo për të marrë shërbime të ndryshme”, – tha Rama.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.