KINË – Rritet ndjeshëm numri i udhëtimeve me tren për Festën e Pranverës

PEKIN, 8 shkurt /ATSH/ – Gjatë pushimeve për Festën e Pranverës është shënuar një rritje e madhe e numrit të udhëtimeve me tren në të gjithë Kinën, sipas CRI-së.

Autoritetet hekurudhore të vendit kanë vënë në shërbim më shumë se 330 trena shtesë për të përballuar gati 10 milionë udhëtime që pritet të bëhen vetëm të enjten.

Të mërkurën u regjistruan më shumë se 7,5 milionë udhëtime, me një rritje 8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Qindra miliona veta kthehen në vendlindjen e tyre për të festuar Vitin e Ri Kinez, duke krijuar një fluks vjetor udhëtimi që krijon trysni mbi sistemin e transportit të vendit.

Fluksi i udhëtimeve për Festën e Pranverës këtë vit filloi më 21 janar dhe do të zgjasë deri më 1 mars./ /v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.