Studentët: Kërkesat tona u plotësuan, tani koha për mësim


TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ – Protesta e studentëve arriti qëllimet e saj. Sipas studentëve Pakti për Universitetin i plotësoi kërkesat e tyre dhe ata i janë rikthyer mësimit. Të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës tashmë vijojnë procesin e rregullt mësimor.

Një studente e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja tha për ATSH-në se kërkesat e studentëve u plotësuan dhe se ajo vetë ka përfituar bursë e nuk paguan më për tarifën në universitet.

“Unë jam në vitin e dytë e studioj për spanjisht. Nuk kam dalë në protestë sepse kam qenë sëmurë, por e kam ndjekur nëpërmjet televizionit dhe rrjeteve sociale. Për mendimin tim protesta shkoi mirë, sepse janë arritur disa pika, për shembull ulja e tarifave. Unë marr edhe bursë sepse kam prindërit me ndihmë sociale, tarifën nuk e paguaj dhe mesa di unë shokët dhe shoqet e klasës të cilët kanë paguar tarifën 250 mijë lekë tani do të paguajnë 125 mijë lekë”, tha studentja e Fakultetit të gjuhëve të Huaja.

Ndërsa një studente tjetër theksoi për ATSH-në se protesta ishte e shëndetshme dhe rriti ndërgjegjen e studentëve, por pjesa e bojkotit ishte tërësisht politike dhe nuk kishte lidhje me kauzën e studentëve.

“Edhe unë studioj për gjuhë spanjolle e jam në vitin e dytë. Pjesa më e madhe e kërkesave të studentëve u arrit, u ul tarifa e shkollës, rregullimi i konvikteve ka filluar. Protesta ishte shume e nevojshme, sepse nëse nuk do të bëhej kjo asgjë nuk do të arrihej. Kam qenë për pak ditë në protestë. Pastaj u bë edhe kjo pjesa e bojkotit që për mua ishte tërësisht politike. Ne nuk duhet të shtypemi nga askush, as nga pedagogët as nga askush tjetër. Nëse ne ngelim në provime, duhet të jetë sepse nuk jemi përgatitur e jo sepse pedagogu kërkon lekë apo favore të tjera”, tha studentja për ATSH.

Për një studente të Fakultetit të Shkencave Sociale protesta ndërgjegjësoi jo vetëm studentët, por të gjithë shqiptarët.

“Mendoj se pjesërisht për momentin ishte një zgjidhje. Ishte një sensibilizim i madh dhe emocione shumë të forta që u përcollën në të gjithë Shqipërinë, por e rëndësishme është që mësimi të vazhdojë”, tha ajo.

Një studente e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë tha për ATSH-në se dëshiron të rikthehet sa më shpejt në auditorë dhe se është kundër bojkotit të mësimit.

“Unë studioj për histori në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Ne kemi shumë kohë që nuk bëjmë mësim. Unë personalisht jam pro mësimit, na mërziti kjo situatë pasi zgjati pak si tepër. Ne studentët tani u zgjuam, nuk është më ajo gjendja që ishte më parë, të gjithë janë sensibilizuar”, tha studentja e Filologjisë për ATSH-në. /o.l/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.