Studentët e Shkencave Sociale: Bojkoti i pedagogëve për interesat e tyre

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ – Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale i janë rikthyer auditoreve duke zhvilluar mësim normalisht.

Një studente tha për ATSH se pedagogët e dobësuan kauzën e tyre dhe përfituan e ngritën çështje për interes të tyre.

“Unë studioj për filozofi. Kemi bërë rregullisht mësim me përjashtim të orëve kur pedagogët kanë pasur Asamble apo mbledhje. Besoj se pedagogët u ngatërruan kot me këtë kauzë, sepse mendoj që tani protesta ka disa kërkesa të pedagogëve e jo të studentëve. Pedagogët po shtrojnë kërkesa për veten e tyre, duke përfituar nga protesta e studentëve. Përfshirja e tyre e ka dobësuar kauzën dhe protestën e studentëve”, tha studentja e filozofisë në Fakultetin e Shkencave Sociale.

Disa studente të tjera thanë për ATSH se mësimi po zhvillohet normalisht.

“Unë jam në master, dhe sot po bëjmë mësim. Pedagogia na ka njoftuar që sot do bëjmë mësim dhe ne po përgatitemi”.

“Kemi rifilluar që dje mësimin, jam e gëzuar. Por gjithsesi mund të vazhdojmë protestat në mënyra të ndryshme”, thanë disa studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale. /o.l//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.