Shqipëria merr kryesimin e CEFTA-s, nxitje integrimit të Ballkanit Perëndimor

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ – Shqipëria ka marrë zyrtarisht kryesimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në Europën Qendrore (CEFTA), me qëllimin nxitjen e Zhvillimit Rajonal dhe procesit të Integrimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Misioni i Shqipërisë në Bashkimin Europian organizuan takimin hapës të kryesimit të CEFTA-s, me pjesëmarrjen e Komisionit Europian dhe partnerëve te tjerë të rajonit.

Aktiviteti, i hapur për publikun, solli së bashku në një panel Albana Shkurtën, zv.ministre e Financave dhe Ekonomisë, Suela Janinën, ambasadore e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Myriam Ferran nga DG NEAR, Komisioni Europian, Emir Djikcic, drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s dhe bashkëpunëtorë e donatorë si USAID, GIZ etj.

Janina, në fjalën e saj hapëse e konsideroi marrëveshjen CEFTA si një nga gurët e themelit të zonës ekonomike rajonale dhe procesit të integrimit europian. Për këtë arsye, në këtë takim hapës, ajo theksoi përfshirjen e përhershme të Shqipërisë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe ftoi të gjitha palët për një angazhim të plotë institucional për realizimin e qëllimeve të lidhura edhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Ndërsa Ferran nga Komisioni Europian, theksoi rëndësinë që CEFTA, si pjesë e bashkëpunimit rajonal vazhdon të ketë në strategjinë e Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Ajo sqaroi më tej, se Zona Ekonomike Rajonale mbetet platforma më e sigurt për procesin e integrimit të rajonit dhe zhvillimit të mëtejshëm ekonomik.

Albana Shkurta, zv.ministre e Financave dhe Ekonomisë prezantoi prioritetet e kryesimit të Shqipërisë, duke theksuar rolin e rëndësishëm të Zonave të Tregtisë së Lirë, Tregtisë së Lirë të Mallrave dhe Shërbimeve dhe të Lëvizjes së Lirë të Investimeve për ekonomitë e palëve të CEFTA-s.

Shkurta u fokusua më tej në prioritetet më të rëndësishme me karakter teknik dhe politik, duke theksuar miratimin e Protokollit të Tregtisë në Shërbime, përfundimin e ratifikimit të Protokollit të Tregtisë së Lirë të Mallrave dhe angazhimin për të përfunduar negociatat deri në fund të 2019 për Protokollin për Mekanizmat e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve në fushën e Tregtisë.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) është një marrëveshje rajonale tregtare me vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë. Marrëveshja ka hyrë në fuqi në vitin 2007. Objektivi kryesor I CEFTA-s është të nxisë tregtinë në mallra dhe shërbime dhe të lehtësojë investimet në rajon, duke ofruar një platforme për eliminimin e barrierave të tregtisë. CEFTA mbetet edhe aktualisht platforma më e rëndësishme për integrimin ekonomik të rajonit në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Në 1 janar 2019, Shqipëria ka marrë kryesimin e strukturave të CEFTA-s. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.