Rritet eksporti i peshkut, Shqipëria më afër me standardet e BE-së

TIRANE, 7 shkurt /ATSH/ – Sa më shumë i përqasemi standardeve të Bashkimit Europian (BE) në gjuhën e sipërmarrjes do të thotë para dhe këtë fakt po konfirmon më së miri sektori i peshkimit në vendin tonë.

Kështu u shpreh kryetari i Komisionit të Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin Niko Peleshi, ish-ministri i Bujqësisë në fjalën e mbajtur sot në Kuvend ku po diskutohen disa ndryshime në Ligjin “Për peshkimin”, që synojnë formalizimin e peshkimit artizanal dhe ndalimin e peshkimit të paligjshëm.

“Sa më shumë i përqasemi BE as më shumë i afrohemi përqasjes për arritjen e standardeve që garantojnë më shumë eksporte shqiptare në tregjet e huaja”, tha Peleshi.

Referuar shifrave, ish-ministri theksoi se sot Shqipëria po eksporton peshk në Norvegji e Finlandës dhe po regjistrojnë eksporte me dy shifra. Në vitin 2017 eksportet e peshkut u rritën me 35% dhe në vitin 2018 u rritën me 25%, ndërsa investimet në industrinë e peshkut llogaritet në 39 milionë euro ku janë të punësuar mbi 3 mijë njerëz.

Ndërsa mbështetja me lehtësi fiskale (heqja e TVSH për karburantin, për mjetet e peshkimit, subvencionimi i peshkatarëve etj) janë nxitje për zhvillimin e këtij sektori, tha Peleshi. Sipas të cilit, përpost zhvillimit po ecën edhe certifikimi.

“Kompani që operojnë në këtë sektor gëzojnë tashmë certifikata ndërkombëtare të biznesit”, tha ai. /e.xh//j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.