Reformat në shëndetësi, Veseli: Pacientët në qendër të vëmendjes

PRISHTINË, 7 shkurt/ATSH/ – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, vizituan sot Spitalin e Prizrenit, ku bashkëbiseduan me personelin shëndetësor dhe me pacientët për reformat në shëndetësi dhe krijimin e kushteve më të mira për personelin shëndetësor dhe pacientët.

Në hyrje të Spitalit të Prizrenit, Kryeparlamentari Veseli u ndalua nga një prind i cili një ditë më parë kishte operuar fëmijën në këtë spital, ndërsa shprehu konsiderata të larta për personelin shëndetësor, të cilët i kishin ofruar trajtimin dinjitoz gjatë trajtimit të fëmijës.

Pas vizitës në disa reparte ku takoi personelin shëndetësor dhe pacientë, Veseli bashkëbisedoi me punonjësit e spitalit të Prizrenit të cilët e falënderuan për rritjen e pagave dhe për reformat në shëndetësinë kosovare.

Veseli tha se kjo vizitë po bëhet për të uruar punëtorët shëndetësorë për Ligjin e pagave dhe për t’iu dëshmuar atyre dhe të gjithë qytetarëve se shëndetësia është prioritet i institucioneve të Kosovës në Dekadën e Re.

“Vetëm tani do të hapen mbi 100 vende të lira për mjekë specialistë, sepse i kemi garantuar të gjithë se nuk do të ketë mjek specialistë të papunë në Kosovë. Do të punojmë shumë që jetën e njerëzve ta bëjmë më të mirë dhe të krijojmë kushte për të jetuar në Kosovë. Kemi arritur një sukses të vogël, sepse ende jemi larg nga ajo ku duhet. Do të orientohemi në përmirësimin e kushteve të punës, për ju dhe për pacientët, sepse e kemi obligim dhe këtë do ta bëjmë”, tha Veseli.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se tani me Ligjin e pagave mjekët kanë pagë të dinjitetshme, ndërsa tani fokusi do të jetë përmirësimi i kushteve në sistemin shëndetësor, në mënyrë që pacientët të marrin shërbimin e duhur.

“Objektiv është që mjekët tanë të mos migrojnë jashtë, por të kontribuojnë në vendin e tyre. Duke ndihmuar punëtorët shëndetësorë që të ndalojnë migrimin, ne i shërbejmë pacientit të Kosovës. Edhe këtë vit do të shpallim pozita për mjekët tanë dhe do të përpiqemi që pacientët të jenë të kënaqur shërbimet që ofrohen”, tha Ismaili.

Ndërsa drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu dhe drejtori i spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj, falënderuan Kryeparlamentarin Veseli dhe ministrin Uran Ismaili për reformat dhe investimet që po bëhen në të gjitha nivelet e sektorit të shëndetësisë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.