Ministri Lleshaj pret delegacionin nga Finlanda e Irlanda, në fokus integrimi në BE

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/- Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj priti një delegacion të përbashkët të dy vendeve të BE-së, Irlandës dhe Finlandës, në të cilin bënin pjesë ministrja e Shtetit për Çështjet e Europës të Irlandës, Helen McEntee dhe sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Finlandës Samuli Virtanen.

Në përbërje të këtij delegacioni të gjerë nga dy vendet, ishin edhe ambasadorët e vendeve përkatëse në Shqipëri, zyrtarë të lartë nga ministritë e Jashtme të të dy vendeve dhe ekspertë të çështjeve të Ballkanit dhe zgjerimit të BE-së. Në fokus të bisedimeve ishin reformat e ndërmarra nga vendi ynë në lidhje me integrimin në BE.

Palët diskutuan gjithashtu edhe për rolin dhe punën e Ministrisë së Brendshme në kuadrin e forcimit të kapaciteteve të Policisë së Shtetit me synim integrimin e vendit.

Ministri Lleshaj nënvizoi rëndësinë e hapjes së negociatave këtë vit, si një vazhdimësi e natyrshme e procesit të integrimit europian të vendit e si një shtysë për vazhdimësinë e thellimin e reformave në vend.

Palët diskutuan gjithashtu edhe për mundësinë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe evidentuan fusha ku ky bashkëpunim mund të thellohet.

Delegacioni do të bëjë takime edhe në parlamentin shqiptar si dhe në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.