Lleshaj-Bashës: Ministria juaj e Brendshme prodhoi viktima në Bulevard, nuk do ndodhë më kurrë


TIRANË, 6 shkurt/ATSH/-Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë seancës plenare të së enjtes iu drejtua kreut të opozitës, duke thënë se ministria që ai drejton nuk do të jetë ministria e vitit 2011, ku 4 mijë plumba shkuan në drejtim të qytetarëve.

Duke iu drejtuar Bashës, ministri i Brendshëm e akuzoi atë personalisht për “njollën e zezë që la në historinë e vendit”.

“Së pari, ju falënderoj që më dhatë mundësinë përmes gishtit tuaj tregues që të flas tani, t’ju përgjigjem. E kam parë që gishtin tregues e drejtoni shpesh si një lloj pistolete butaforike, por duhet t’ju them që mundohuni mos ta drejtoni kurrë kundër meje.
Sigurisht, ironia e historisë ka bërë që ju të jeni në atë post që jam unë sot; dhe ironia e historisë bën që ju sot të përdorni një fond pafund me bojë të zezë kundër Shqipërisë. Megjithatë dua t’ju them që përpjekja është e dështuar, është krejtësisht butaforike, nuk mund ta nxini as Shqipërinë, as Ministrinë e Brendshme, sado të përpiqeni me këtë fond të zezë boje. Kurrë nuk do të arrini që të më shihni mua në pozicionin që keni qenë ju në vitin 2011.
Kurrë nuk do të arrini që prej Ministrisë së Brendshme, të cilën unë drejtoj, të prodhohen viktima në Bulevardin kryesor të Tiranës. Kurrë nuk do të arrini që Shqipëria të marrë atë njollë të zezë që e keni lënë ju, personalisht, në postin e ministrit të Brendshëm. Prandaj sa herë ta drejtoni gishtin butaforik ndaj meje, duhet të mendoni historinë që keni pasur.
Historia fatkeqësisht na ka vënë në këto pozicione që ne mund t’i tregojmë me shifra kush jemi. Keni 4 të vrarë në CV-në tuaj, keni rreth 100 të plagosur dhe keni rreth 4 mijë të tjerë të mbetur në tentativë për t’u vrarë. 4 mijë plumba të hedhur nga struktura që ju keni drejtuar, ndaj qytetarëve të Tiranës, të cilët vetëm fal mëshirës së Zotit nuk kanë rënë në koka shqiptarësh. Prandaj kur ta drejtoni gishtin mendohuni mirë”, tha Lleshaj.

Ministri hodhi poshtë akuzat drejtuar Policisë së Shtetit mbi rastin e së miturës në Kavajë, ku, sipas tij, Policia e Shtetit i ka arrestuar përdhunuesit para se lajmi të bëhej publik.

“Rasti i Kavajës është trajtuar nga Policia e Shtetit që në momentin zero. Pra, pra në momentin që policia ka marrë dijeni, policia ka reaguar në momentin zero, në 29 janar ndaj denoncimit të familjarëve. Policia e Shtetit e ka referuar çështjen në prokurori direkt. Publikimet në rrjetet sociale janë bërë pasi shtetasit kanë qenë të arrestuar. Ka dokumente shtetërore për këtë. Për qytetarët shqiptarë, Policia e Shtetit i ka arrestuar përdhunuesit para se lajmi është bërë publik”, deklaroi ministri.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.