Francë/Itali – Salvini dhe Di Maio të gatshëm për dialog, Parisi thërret ambasadorin për konsultime

PARIS, 7 shkurt /ATSH-AFP/ – Dy liderët politikë të qeverisë populiste italiane, Matteo Salvini dhe Luigi Di Maio u shprehën të hapur për dialog me qeverinë franceze, e cila thërriti sot ambasadorin e saj në Romë për konsultime.

‘’Jemi të gatshëm të takojmë presidentin francez Macron dhe qeverinë franceze’’, shprehet Salvini, lideri i Ligës në një komunikatë.

‘’Ne jemi në dispozicion për takime në nivelin më të lartë me qeverinë franceze’’, shkruan nga ana e tij Di Maio, lideri i Lëvizjes 5 Yjet (L5Y, antisistem) në Facebook, në sfondin e marrëdhënieve të tendosura mes dy politikanëve të lartë.

Franca thërriti sot ambasadorin e saj në Itali pas një seri deklaratash të ekzagjeruara nga liderët italianë, një përshkallëzim i pazakontë i marrëdhënieve mes dy shteteve të BE-së që nxjerr edhe më në pah krisjet në Europë, disa muaj përpara zgjedhjeve europiane.

‘’Franca prej disa muajsh është bërë objekt i akuzave të përsëritura, të sulmeve të pabaza, të deklaratave abuzive ‘’, deklaroi zëdhënësja e Quai d’Orsay, Agnès von der Mühll, pasi njoftoi se është thërritur ambasadori për konsultime./ / v.b/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.