Flota e autoambulancave të Tiranës, shërbim me aparatura moderne edhe në banesë

Tiranë, 7 shkurt/ATSH/ – Qyteti i Tiranës ka tashmë një flotë të rinovuar autoambulancash, të cilat ofrojnë një standard të ri në shërbimin e urgjencës mjekësore.

Tre spitalet universitare janë pajisur me autoambulancat e reja, të cilat, falë aparaturave moderne, mundësojnë ofrimin e shërbimit edhe në banesë.

“Është trajnuar stafi dhe çdo spital universitar në Tiranë ka tashmë nga 3 autoambulanca të reja, ndërsa me zgjerimin e grupeve të terrenit do të jenë 15 autoambulanca të reja në territor, vetëm në Tiranë”, tha drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.
Riorganizimi i QKUM-së siguron përgjigje më të shpejtë për çdo urgjencë shëndetësore, për çdo qytetar.

Në total janë 32 autoambulanca të reja në të gjithë vendin. Riorganizimi i Qendrës Kombëtare Urgjencës Mjekësore ka bërë që numri i thirrjeve për ndihmë që priten falë sistemit të ri të integruar të kësaj njësie të 4-fishohet.

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore gjatë vitit 2018, ka marrë 202.349 thirrje drejt 127, mesatarisht 900 në ditë duke kryer 44.462 misione. 56% e pacientëve morën shërbimin e duhur shëndetësor në kohë dhe në banesë dhe 44% e tyre u transportuan për shërbim të specializuar në spital. Nga totali i misioneve të kryera në banesë dhe spital, për 209 prej tyre ka qenë e nevojshme përdorimi i ekipit të njësisë së helikopterëve.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.