Eficienca e energjisë, Balluku: Prioritet i rëndësishëm politik dhe ekonomik

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ – Ligji për “Eficiencën e energjisë” është diskutuar në Kuvendin e Shqipërisë, ku ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi nga foltorja se ky ligj është një prioritet i rëndësishëm ekonomik dhe politik.

“Eficienca e energjisë është një prioritet i rëndësishëm politik dhe ekonomik. Eficienca e energjisë vjen duke përdorur standardet më të mira europiane, si në ndërtim, ashtu edhe në fusha të tjera të ekonomisë. Bashkimi Europian parashikon hedhjen e një hapi të madh përpara nëpërmjet zbatimit të auditimeve të energjisë për konsumatorët”, – theksoi ministrja Balluku.

Duke u ndalur te reforma e derregullimit, Balluku theksoi se kjo reformë ka si qëllim krijimin e lehtësirave për përmirësimin e klimës së biznesit dhe reduktimin e barrierave administrative.

“Në kuadër të reformës së derregullimit, me qëllim krijimin e lehtësirave për përmirësimin e klimës së biznesit dhe për reduktimin të barrierave administrative, janë analizuar të gjitha licencat dhe lejet e përfshira në aneksin 1 dhe 2 të vendimit të vitit 2009. Në përfundim të analizës ndër të tjera u arrit në konkluzionin se 23 licenca do të eliminohen. Konkretisht masa e ndryshimeve në ligjin 124 të vitit 2015 “Për eficiencën e energjisë” synohet që të arrihet: Reduktimi i barrierave administrative, liberalizmi i tregut, përmirësimi i klimës së biznesit. Me anë të këtij projektligji propozohet shfuqizimi i licencës për auditet energjetike dhe licencës së shërbimeve energjetike të cilat janë parashikuara si licenca në ligj, por akoma nuk janë përfshirë në një prej kategorive, apo nënkategorive të përcaktuara në aneksin 1 të VKM-së së vitit 2009”, – u shpreh Balluku nga foltorja e Kuvendit. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.