BSH: ABI Bank u licencua në transparencë të plotë dhe konform ligjit

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ – Banka e Shqipërisë, u shpreh sot se Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) është licencuar në përputhje të plotë me ligjin dhe pronësia e saj është transparente.

Në një deklaratë për shtyp, Banka e Shqipërisë shprehet se ka vlerësuar integritetin dhe reputacionin e aksionerëve të ABI Bank bazuar në një dokumentacion të zgjeruar zyrtar, përfshi këtu dokumentin e konfirmimit nga Ambasada Amerikane në Shqipëri se NCH Capital është një shoqëri e regjistruar në Komisionin e Letrave me Vlerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Aksioneri direkt i ABI Bank, shoqëria Tranzit, kontrollohet nga NCH Balkan Fund dhe New Century Holdings, dy fonde që financohen nga investitorë me reputacion, si universitete të mirënjohura, fonde pensionesh shtetërore dhe korporata e institucione të tjera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Europa Perëndimore. Të dyja këto fonde menaxhohen nga NCH Capital, një shoqëri konsulente investimesh me  përvojë të gjatë në sektorin financiar dhe prej më shumë se 20 vitesh pjesë e sektorit bankar në Rumani, Letoni dhe Moldavi. Ndërsa regjistrimi i aksionerëve të tërthortë në një vend të njohur si parajsë fiskale, sipas kuadrit ligjor mbi bankat në Republikën e Shqipërisë nuk parashikon ndalime apo kufizime lidhur me vendin e regjistrimit të aksionerëve të subjekteve”, citon deklarata e BSH.

Banka e Shqipërisë, ka kryer vlerësimet e saj dhe ka identifikuar aksionerët deri në përfituesit e fundit, George Rohr dhe Moris Tabacinic.

“Vlerësimi i integritetit apo reputacionit të aksionarëve është bazuar në vërtetime të autoriteteve të tatim taksave, korrespondencën me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, apo deklarimeve të bëra nga aksionarët deri në përfituesit e fundit, në lidhje me shlyerjen e detyrimeve tatimore, mosndjekjes penale, mosdënimit më parë për vepra penale, mospasjes së detyrimeve ndaj personave të tretë, etj”, thekson BSH.

“Banka e Shqipërisë siguron publikun se integriteti dhe reputacioni i aktivitetit financiar të sistemit bankar në Shqipëri, vijon të mbetet një arritje mjaft e çmuar, ku edhe politika ka pasur rolin e saj shumë pozitiv ndër vite. Sistemi bankar është vlerësuar  në vazhdimësi jo vetëm nga institucionet ligjvënëse në Shqipëri, por dhe nga organizma ndërkombëtarë mjaft prestigjiozë, si një aktor me rëndësi dhe kontribut të padiskutueshëm në zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit.

Banka e Shqipërisë mbetet e hapur për çdo informacion që i shërben transparencës dhe do të vijojë të jetë e përkushtuar në respektimin e detyrimeve të saj kushtetuese, si dhe në zbatimin e detyrave e angazhimeve institucionale. Vlerat që udhëheqin Bankën e Shqipërisë do të jenë kurdoherë integriteti, profesionalizmi dhe transparenca, ndërkohë që në fokus të punës sonë do të mbetet gjithnjë zhvillimi i sistemit bankar dhe ruajtja e forcimi i stabilitetit financiar të vendit, në përputhje me praktikat e standardet më të mira ndërkombëtare”, përfundon deklaratën e saj BSH. /e.xh/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.