BRUKSEL – May premton se do të përmbushë në kohë Brexit

BRUKSEL, 7 shkurt /ATSH-AFP/ – Kryeministrja britanike, Theresa May premtoi se do të përmbushë në kohë Brexit, në përfundim të takimit me liderët e institucioneve europiane në Bruksel.

‘’Detyra ime është finalizimi i Brexit, dhe ta realizojë atë në kohë. Unë do të negocioj fort në ditët në vijim për t’ia dalë mbanë’’, deklaroi ajo për median, të paktën dy muaj nga data e largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, planifikuar më 29 mars.

Bashkimi Europian nuk do të rihapë marrëveshjen e divorcit mbi Brexit, siç kërkohet nga Londra, por mund të ndryshojë deklaratën e politikave shoqëruese, deklaroi presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker në takimin me kryeministren britanike, Theresa May.

Presidenti Juncker theksoi se ‘’27 anëtarët e BE nuk do të rihapin marrëveshjen e tërheqjes”, në një deklaratë të përbashkët në emër të Juncker dhe May pas bisedimeve të tyre në Bruksel.

“Presidenti Juncker ka shprehur gatishmërinë e tij për të hapur dhe për të shtuar formulimin e Deklaratës Politike të 27 vendeve dhe Londrës në mënyrë që të jetë më ambicioze në aspektin e përmbajtjes dhe shpejtësisë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet e ardhshme mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe “, shtoi ai.

‘’Çdo zgjidhje duhet të miratohet nga Parlamenti Europian dhe shtetet anëtare’’, vë në dukje Juncker.

Juncker dhe May vendosën të takohen përsëri përpara fundit të shkurtit./ /v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.