Biblioteka publike e Beratit, pjesë e katalogut COBISS.AL

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/- Biblioteka Publike “Vexhi Buharaja” e Beratit tashmë është bërë pjesë e Katalogut të Përbashkët COBISS.AL.

COBISS.AL është pjesë e rrjetit rajonal COBISS.Net, ku marrin pjesë 1329 biblioteka të vendeve të rajonit, të cilat katalogojnë dhe shkëmbejnë regjistrime bibliografike midis tyre.

Kjo u bë e mundur në sajë të marrëveshjes midis Bashkisë së Beratit, përfaqësueseve të bibliotekës publike, Ardjana Germau, Majlinda Odaxhiu, dhe Institutit të Shkencave të Informacionit në Slloveni (IZUM).

Në bazë të marrëveshjes ky program ofrohet falas. Po punohet në vazhdimësi për të kataloguar të gjithë fondin e bibliotekës.

Biblioteka publike vijon të ngjallë interesin e çdo moshe, por ata që e frekuentojnë më shpesh janë nxënësit e shkollave dhe studentët. E gjitha kjo falë ndryshimeve infrastrukturore që janë bërë në këtë bibliotekë, fondit të saj të pasur dhe përkushtimit të përditshëm të punonjësve të saj./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.