Basha: Zgjidhje politike, ose populli do pastrojë Kuvendin prej 16 shkurtit

99

TIRANË, 7 Shkurt ATSH/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri thirrje qeverisë që t’i thërrasë zërit të arsyes për të gjetur një zgjidhje politike përpara se, siç tha ai, populli të marrë në dorë fatet e veta.

“Sot është rasti i parafundit për t’i bërë thirrje ndërgjegjës socialistëve të ndershme të detyrojnë kukullat e krimit dhe oligarkisë që kanë mbushur këtë sallë dhe Bangok e qeverisë t’i thërrasin zërit të arsyes dhe t’i hapin rrugë një zgjidhje politike përpara sesa populli të vendosë të marrë në dorë fatet e tij dhe të spastrojë këtë sallë dhe institucionet nga krimi dhe oligarkia që i kanë kapur për fyti”, tha Basha.

Sipas tij, në qershor nuk do të ketë hapje të negociave. “Kjo është faturë e rëndë. Nuk kemi pse të vazhdojmë ta  paguajmë këtë faturë thirrini mendjesjepini rrugë politike zgjidheni.  Sepse ndryshe prej 16 shkurtit të jeni të sigurtë që qytetarë do ta marrin fatin e tyre duke nisur ne spastrimin e Kuvendit nga shërbëtorët e krimit që e kanë vendin prapa hekurave dhe drejtësisë”, tha Basha.

Basha theksoi se, vendi ndodhet në depresion dhe në krizë totale.

“Të gjitha ligjet që sjellin këta këtu, janë ligje të zhvatjes, këta që aktivitetin kryesor të ekonomisë kanë vjedhjen dhe pastrimin e parave të pista. Kriza ka arritur dimensione tragjike, pa siguri totale në shkolla dhe paturpësisë me të cilën shprehet ministri i Brendshëm, apo si rasti i vetëflijimit në Shijak. Vendi është edhe në krizë depresioni, jo vetëm social ekonomik”, tha Basha.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.