Projekti për sigurinë ushqimore, Soreca: Do të hapë tregjet e BE-së për produktet shqiptare

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ – Garantimi i nivelit më të lartë të mbrojtjes së konsumatorit është një nga detyrat kryesore të Bashkimit Europian.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca prezantoi projektin prej 5 milionë eurosh, për të garantuar që qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga i njëjti nivel i sigurisë ushqimore si qytetarët e BE-së. Për 4 vjet, Irlanda dhe Finlanda do ta ndihmojnë Shqipërinë të forcojë sigurinë ushqimore dhe sistemin e saj veterinar, duke përfshirë në çdo hap edhe konsumatorët.

“Projekti që po prezantojmë sot do ta sjellë Shqipërinë edhe më pranë standardeve të BE-së. Ai do të përmirësojë jetën e përditshëm dhe shëndetin e shqiptarëve. Ai do të kontribuojë edhe për hapjen e tregut të BE-së për produktet shqiptare”, – tha ambasadori i BE-së Luigi Soreca.

Eventi u ndoq edhe nga ministri i Bujqësisë i Shqipërisë, Bledi Çuçi, ministrja e Shtetit për Çështjet Europiane të Irlandës, Helen McEntee dhe Sekretari i Shtetit i Finlandës, Samuli Virtanen.

Ministria e Shtetit për Çështjet Europiane të Irlandës, McEntee gjatë këtij takimi theksoi se ky bashkëpunim do të krijojë një kulturë të sigurisë ushqimore që përputhet me shembujt më të mirë në botë.

“Ky është një bashkëpunim i rëndësishëm midis Shqipërisë dhe dy shteteve anëtare të BE-së – Irlandës dhe Finlandës – me mbështetje financuese nga Bashkimi Europian. Ky është një shembull i shkëlqyer i Bashkimit Europian në veprim, me anëtarët e BE-së që mbështesin një vend kandidat për të harmonizuar ligjet dhe rregulloret e tij me normat europiane dhe duke ndihmuar për krijimin e një kulture të sigurisë ushqimore që përputhet me shembujt më të mirë në botë”, theksoi McEntee. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.