Përfundon bojkoti i pedagogëve, të martën fillon mësimi te Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ – Ditën e martë fillon mësimi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Ky ishte vendimi i asamblesë të Fakultetit të Filologjisë. Dekani Sabri Laçi tha se vendimi i asamblesë ishte unanim dhe se nga e hëna mësimi do të rifillojë, por do të protestohet 1 ditë çdo javë.

“Asambleja ishte unanime në vendimin e saj, u vendos që kjo javë të jetë javë proteste. Dhe në javët në vijim protesta do të vijojë një ditë në javë, sipas një kalendari. Protesta do të vijojë deri sa të kemi marrë përgjigje për problemet që kemi shtruar. Sipas këndvështrimit tonë studentët janë të ndarë në dy grupe, ka që duan të  vazhdojnë protestën dhe të tjerë duan të fillojë mësimi”, tha dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

Pas mbledhjes së asamblesë studentët e mirëpritën vendimin e stafit akademik. Ata thanë për ATSH-në se duan të rikthehen në auditorë.

“Unë jam për mësim. Studioj për gjeografi, jam në vitin e tretë. Unë besoj se me këtë vendim stafi akademik i ka plotësuar kërkesat e studentëve edhe për ata që duan të bëjnë mësim edhe ata që duan të vazhdojnë protestën”, tha një studente për ATSH-në.

“Unë e dua mësimin, por të plotësohen ato kushtet, sepse u lodhëm, 120 veta nuk mund të rrimë në një sallë”, tha një studente e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë për ATSH-në. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.