Përfaqësimi i studentëve në bordin e administrimit, Fakulteti i Ekonomisë nis procedurat

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/- Fakulteti i Ekonomisë ftoi sot të gjithë studentët e këtij fakulteti që të marrin pjesë në përzgjedhjen e Komisionit zgjedhor që do të administrojë zgjedhjen e anëtarit të Bordit të Administrimit të Universitetit të Tiranës.

Në një njoftim për shtyp Fakulteti i Ekonomisë bën të ditur gjithashtu, se “meqënëse anëtari student i Komisionit Zgjedhor të Fakultetit është larguar, ftohen studentët e Fakultetit Ekonomik, që kanë dëshirë të aplikojnë për të qenë pjesë e KZF. Aplikimet do të kryhen në datat 6-11 shkurt, pranë KQZI në Rektoratin e Universitetit të Tiranës”.

Një nga kërkesat e studentëve që iu dha zgjidhje nga qeveria me Paktin për Universitetin, ishte edhe rritja e peshës vendimmarrëse brenda universiteteve. Në plotësim të kësaj kërkese, qeveria vendosi që në Bordet e Administrimit të Studentëve të ketë një përfaqësues nga studentët dhe në çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në Senatin Akademik.

Po ashtu qeveria ka vendosur që në bordet e administrimit të universiteteve të ketë një numër të barabartë votash mes përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe përfaqësuesve të universitetit. Njëri prej anëtarëve që emërohet prej MASR do të vijë propozim nga studentët. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.