Pakti për Universitetin, studentja ekselente që iu bashkua administratës publike

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ – Kryeministri i vendit Edi Rama ka uruar mirëmëngjes përmes historisë së Drijonës, studentes ekselente që falë Paktit për Universitetin, sot i është bashkuar administratës publike.

“MIRËMËNGJES, dhe me Drijonën, studenten ekselente që falë Paktit për Universitetin, sot i është bashkuar administratës publike, si edhe me vendosmërinë për të bërë edhe më shumë, teksa qentë lehin më fort, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Drijona ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë ndërsa është diplomuar si studente e shkëlqyer në të dy ciklet e studimit, me medalje të artë. Ajo rrëfen përmes një video të publikuar nga Kryeministri, se administrata publike nuk hynte në ambicien e saj, ndonëse një përvojë kualifikuese do t’i shërbente karrierës së saj.

“Unë kam mbaruar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe jam diplomuar si ekselente në të dyja programet e studimit Bachelor dhe Master. Me certifikatën e mirënjohjes dhe medaljes së artë. Gjithashtu kam përfunduar edhe studimet master në të drejtën civile, po ashtu e diplomuar me medalje të artë. Që të jem e sinqertë, unë nuk kam aspiruar të jem pjesë e administratës publike deri në momentin që bëra një aplikim online me qëllimin që të përfitoja një përvojë njëvjeçare në administratën publike. Në përfundim të kësaj përvoje kualifikuese pata mundësinë që të aplikoja për pranim në shërbimin civil pranë departamentit të administratës publike dhe tashmë jam pjesë e administratës publike si nëpunëse civile”, – rrëfen Drijona.

Por, a ishte i vështirë aplikimi që ajo kreu? 

Jo nuk ishte i vështirë. Unë kam aplikuar vetëm në bazë të certifikatave të cv time, të diplomave dhe të një letre motivimi ku shpjegoja arsyen pse doja të isha pjesë e administratës publike. Përzgjedhja ka qenë totalisht transparente dhe në bazë meritokracie, vetëm mbi bazën e notave dhe asgjë tjetër”, – thotë ish-studentja ekselente.

Aktualisht, Drijona punon si specialiste në Drejtorinë e Përgjithshme të Financave dhe Kontraktimeve për Fondet e BE-së, Bankës Botërore dhe donatorëve të tjerë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Drijona, ish-studente ekselente është shembulli se si bëri praktikën dhe më pas u bë pjesë e administratës publike nëpërmjet konkursit dhe fitoi. Ajo aspiron shkollën e magjistraturës që në të ardhmen të bëhet një gjyqtare e zonja.

Përmes Paktit për Universitetin, studentët me rezultate të arrira kanë mundësinë të bëhen pjese e administratës pa konkurs, falë platformës më të re “punetembare.al”, një mundësi punësimi dhe përvoje pune.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.