Marrëveshja Maqedoni-Greqi, Stoltenberg përgëzon Cipras dhe Zaev për guximin dhe urtësinë

BRUKSEL, 6 shkurt /ATSH-ANA/- Marrëveshja e nënshkruar nga Athina dhe Shkupi për ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe mundësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’u bërë anëtare e NATO-s” është jashtëzakonisht e rëndësishme, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë një interviste ekskluzive për Agjencinë e lajmeve greke (ANA), pak kohë pas nënshkrimit të Protokollit të pranimit të Shkupit në NATO.

Duke iu referuar nënshkrimit të protokollit si një “ngjarje historike”, ai vuri në dukje se, “ai forcon gjithë Aleancën dhe ndihmon në ruajtjen e paqes në rajon, që është gjithashtu bazë për prosperitet”.

Stoltenberg përgëzoi kryeministrin grek, Aleksis Cipras dhe homologun e tij, Zoran Zaev për “guximin dhe urtësinë” e tyre në zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje të vështirë që zgjati shumë vite dhe krijoi probleme për të gjithë rajonin, duke theksuar se, “lidershipi që ata kanë treguar është me të vërtetë mbresëlënës”.

“Unë isha në Samitin e Bukureshtit, në vitin 2008 si kryeministër kur vendosëm që Maqedonia do të bëhej anëtare sapo çështja e emrit të zgjidhej. Mendoj se shumica prej nesh menduan se kjo çështje do të zgjidhej brenda disa muajve ose ndoshta disa viteve, por, kjo ka ndodhur shumë vite më parë, dhe kjo përben edhe rëndësinë e zgjidhjes së kësaj çështjeje tani”, deklaroi Stoltenberg.

Gjatë intervistës, Stoltenberg preku edhe çështjen e ndikimit të Rusisë në rajon, duke thënë se, “nuk mund të mohojë të drejtën e asnjë vendi për të hyrë lirisht në NATO, duke përshëndetur një takim të mbajtur të martën në Ankara midis kryeministrit grek dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Më poshtë vijon intervista e plotë:

ANA: Z. Sekretar i Përgjithshëm, ju falënderoj për këtë intervistë me Agjencinë e Lajmeve greke (ANA). Ju e keni përshkruar nënshkrimin e protokollit të pranimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut, në të ardhmen si një ngjarje historike. A mund të jepni më shumë detaje rreth kësaj çështjeje dhe në veçanti të shpjegoni rëndësinë e këtij zhvillimi për vetë vendin dhe për Ballkanin?

STOLTENBERG: Kjo është një ngjarje historike, për shkak se ka qenë një çështje dhe një mosmarrëveshje që ka krijuar probleme për të gjithë rajonin, për marrëdhëniet midis Greqisë dhe Republikës së ardhshme të Maqedonisë së Veriut dhe gjithashtu për përpjekjet për të integruar vendin në NATO dhe BE. Më kujtohet kur isha në Samitin e Bukureshtit në 2008 si kryeministër kur vendosëm që Maqedonia do të bëhej anëtare sapo çështja e emrit të zgjidhej. Unë mendoj se shumica prej nesh menduan se kjo çështje do të zgjidhej brenda disa muajve apo ndoshta disa viteve. Por kjo ka ndodhur shumë vite më parë dhe gjithashtu dhe kjo përben edhe rëndësinë e zgjidhjes së kësaj çështjeje tani.

ΑΝΑ: Një numër i madh grekësh, ka të ngjarë shumica, janë kundër marrëveshjes për ndryshimin e emrit. Cila është mënyra më e mirë, sipas mendimit tuaj, për të adresuar këtë frymë nacionaliste në një vend anëtar të NATOs?

STOLTENBERG: E di se kjo është një çështje e debatueshmë si në Shkup ashtu edhe në Athinë. Por, kjo gjë e bën vendimin më të rëndësishëm. Të dy vendet kanë qenë në gjendje të kapërcejnë si ndasitë e brendshme, ashtu edhe mosmarrëveshjet mes tyre. Kjo ka rëndësi. Të përmirësosh marrëdhëniet me fqinjin është e rëndësishme. Ndihmon të stabilizohet i gjithë rajoni dhe bën të mundur që e ardhmja e Republikës së Maqedonisë së Veriut të jetë vend anëtar i NATOs, ku mund të punojë së bashku me Greqinë. Kjo është e rëndësishme sepse forcon të gjithë aleancën dhe ndihmon në ruajtjen e paqes në rajon, gjë që është edhe bazë për prosperitet. Prandaj, do të doja të lavdëroja guximin dhe urtësinë e kryeministrave Tsipras dhe Zaev sepse guximi dhe lidershipi i treguar prej tyre të bën me të vërtetë përshtypje.

ΑΝΑ: Çfarë fiton konkretisht NATO nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut?

STOLTENBERG: Fitojmë një tjetër anëtar dhe kjo ndihmon në forcimin e NATOs. Në NATO ka anëtarë të mëdhenj, por edhe të vegjël. Të gjithë kontribuojnë ndaj sigurisë sonë të përbashkët në mënyra të ndryshme. Republika e Maqedonisë së Veriut tashmë kontribuon në misionet dhe operacionet e NATOs, për shembull në Afganistan dhe ndihma në stabilizimin e rajonit është jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjithë ne pasi gjithashtu ndihmon për përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët dhe pritet të sjellë begati dhe rritje ekonomike. Për shembull, në Mal të Zi, anëtari i fundit që u bashkua me Aleancën, kemi parë se investimet u dyfishuan ashtu si në të gjitha vendet aleate pasi hynë në NATO. Kjo është gjithashtu një mënyrë jo vetëm për më shumë siguri dhe stabilitet, por gjithashtu i jep një shtysë begatisë në të gjithë rajonin.

ΑΝΑ: Në rajonin e Ballkanit ka rivalitet mes NATOs dhe Rusisë për zona influence. Mendoni se hyrja e Maqedonisë së Veriut në NATO do të rrisë tensionin mes Perëndimit dhe Rusisë?

STOLTENBERG: Jo, mendoj se do të ndihmojë për të stabilizuar të gjithë rajonin, për të ruajtur paqen dhe për të shmangur konfliktet. Kjo është tamam ajo që kemi parë në Ballkanin Perendimor apo këtë pjesë të Europës që nga koha e Luftës së Ftohtë. Në rajon ne kemi shumë anëtarë të tjerë si Kroacinë, Slloveninë, Shqipërinë, Malin e Zi.//a.i/p.s./

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.