BSH mban në 1,00% normën bazë të interesit

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/- Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot Raportin e Politikës Monetare, ku vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1,00%.

Pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi gjithashtu të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 0,10%, të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 1,90%

Po ashtu Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi shtypjen e kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor, prerjet 1.000 dhe 10.000 Lekë.

“Ky vendim synon plotësimin e kërkesave të ekonomisë për para, në vlerë dhe strukturë, si dhe sigurimin e një furnizimi të rregullt me këto kartëmonedha për periudhën në vijim”, thuhet në njoftimin për shtyp të Bankës së Shqipërisë.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë. /k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.