BRUKSEL -Tusk: Vend të veçantë në ferr për profetët e Brexit

BRUKSEL, 6 shkurt /ATSH-ANSA/ – Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk u shpreh se ka një “vend të veçantë në ferr” për profetët që projektuan Brexit.

“E pyeta veten se cili ishte vendi i posaçëm në ferr për ata që e promovuan Brexit-in pa asnjë projekt’’, tha Tusk në Bruksel.

‘’Në këtë pikë, me largimin e planifikuar të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian më pak se dy muaj larg, të dyja palët duhet të përqëndrohen në shmangien e një jomarrëveshjeje kaotike Brexit”, theksoi Tusk.

“Ndjenja e përgjegjësisë na tregon gjithashtu që të përgatitemi për një fiasko të mundshme”, shtoi ai.

Tusk i bëri këto deklarata gjatë një takimi me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar dhe një ditë përpara se kryeministrja britanike Theresa May të shkojë në Bruksel për të diskutuar alternativat për të rregulluar një bllokim në kufirin irlandez./   /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.