Basha, takime në Vorë: Bashkohuni me protestën e opozitës më 16 shkurt

TIRANË, 6 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike ka zhvilluar pasditen e së mërkurës një takim me qytetarët e Vorës ku u ka bërë thirrje që të bashkohen me protestën e opozitës më 16 shkurt.

Kryetari i PD-së Basha në bashkëbisedim me biznesin e vogël shprehet se taksat lokale, çmimi i energjisë e ka rënduar situatën e biznesit, ndërsa gjendja ekonomike është në kolaps.

“Sot isha me miq të huaj dhe po shihnim statistikat e FAO, Organizatës Botërore të Ushqimit. 1/10 familje ha një herë në ditë. Duhet të ndalen politikat që e kanë shkaktuar gjendjen e mjerë të shqiptarëve. Çmimi i energjisë më i larti në rajon. Çmimi i naftës më i larti në rajon. Taksat më të larta në rajon. Ku shkon me këtë? TVSH 9% në Maqedoni, 9% në Malin e Zi, ti me 15%. Kjo po vdes investimin vendas dhe stopon investimet e huaja. Dy investimet që kanë ardhur nga jashtë ishin kontraktimet kur kishim taksën e sheshtë 10%, TAP dhe Devolli. 15 mijë të punësuar do të humbin vendin e punës”, shtoi ai.

Në vijim, Basha tha se PD ka plan për biznesin. “Do ju mbështesim si sipërmarrës dhe punëdhënës. Biznesi i madh nuk është futur në tepsi. 2 miliardë euro që i ka në tepsi nuk i kthen në investime”, tha Basha.

“Ne zgjidhjen e kemi. Do ulim çmimin e naftës. Çmimin e energjisë për industrinë nga 30-40%, ndërsa për biznesin 20% që të rrisë ekonominë dhe punësimin, pasi është plani ynë i parë, por që të arrijmë këtë dhe të dalim nga kjo gjendje është që populli të bashkohet dhe të dalë në protestë më 16 shkurt”, theksoi Basha. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.