Studentët e Filologjikut: Presim pedagogët për të vazhduar mësimin

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ – Studentë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë thanë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se ata duan t’i rikthehen mësimit, por kjo nuk varet vetëm nga ata, pasi pedagogët janë në grevë. Një i ri që studion për gjeografi tha për ATSH-në se do fillonte menjëherë mësimin nëse pedagogët do të vinin në auditore.

“Unë jam studente e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë dhe studioj për gjeografi. Sot nuk kemi bërë mësim, jemi në bojkot, vazhdon bojkoti në fakultetin tonë. Ndërkohë që pedagogët e fakultetit do të vendosin pas mbledhjes së asamblesë nëse do të rikthehen në auditorë apo jo. Nëse pedagogët rikthehen në mësim, edhe ne do të shkojmë në auditorë të bëjmë mësim”, tha studenti i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

Edhe një student tjetër tha për ATSH-në se pret vendimin e Asamblesë së pedagogëve të Fakultetit për t’u rikthyer në mësim.

“Unë jam në vitin e tretë dhe studioj për gjuhë-letërsi. Për momentin, jemi duke pritur vendimin e Asamblesë së pedagogëve. Mbledhja e asamblesë do të bëhet nesër dhe në bazë të vendimit të tyre do të vendosim edhe ne”, tha ai.

Ndërkohë që në Fakultetet e tjera mësimi vijon rregullisht. Dy studente të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja thanë për ATSH-në se po zhvillojnë rregullisht mësim prej tre javësh.

“Ne bëjmë mësim rregullisht, pjesëmarrja është e plotë, si nga ana e studentëve edhe e pedagogëve”. Unë studioj për anglisht, ne po bëjmë mësim rregullisht prej tre javësh”, thanë dy studente të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.

Mësimi vijon rregullisht edhe në Universitetin Politeknik.

“Unë studioj për inxhinieri ekonomike dhe jam në vitin e tretë. Po zhvillojmë mësim të rregullt prej tre javësh. Unë jam në vitin e dytë. Ne kemi bërë mësim, e pjesëmarrja është maksimale. Ndërkohë po zhvillojmë mësim edhe të shtunave për të zëvendësuar orët e humbura gjatë protestës”, thanë dy studentë të Politeknikut.

Ndërkohë studentë të Fakultetit të Drejtësisë vijojnë mësimin te gjimnazi “Petro Nini Luarasi” prej disa ditësh. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.