Shqipëria shton përpjekjet kundër ndryshimeve klimatike

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ – Shqipëria ka ratifikuar Amendamentin e Kigalit të Protokollit të Montrealit, çka do të thotë se ajo do të zvogëlojë përdorimin e hidrofluorocarboneve (HFC), gazra të fuqishëm për serrat që përdoren kryesisht për ftohje, ajrin e kondicionuar dhe për pajisjet për gjeneratorë, që janë mijëra herë më të dëmshme për klimën sesa dyoksidi i karbonit, shkruan moderndiplomacy.eu.

Amendamenti i Kigalit, që hyri në fuqi në janar 2019, i shtohet Protokollit të Montrealit mbi Substancat që Boshatisin Shtresën e Ozonit për të përfshirë substanca – përfshirë  hidrofluorokarbonet (HFC) – që nuk dëmtojnë shtresën e ozonit, por janë të njohura për potencialin e një ngrohjeje të rëndë globale.

“Amendamenti i Kigalit është një rrugë e re për trajtimin e çështjeve globale mjedisore”, shpjegon Fukuya Iino, zyrtar për Zhvillimin Industrial në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial (UNIDO), që ndihmon autoritetet shqiptare në përgatitjen për eliminimin e përdorimit të HFC-ve.

“Ratifikimi nga ana e Shqipërisë tregon se ky vend është vendosmërisht aktiv në trajtimin e problemeve të së ardhmes duke parandaluar një rritje të përdorimit të HFC-ve dhe nxitjen e alternativave miqësore ndaj mjedisit”, deklaroi Iino.

Amendamenti i Kigalit është në një linjë me strategjitë kombëtare të Shqipërisë, e cila jep kontributin e saj ndaj ruajtjes së mjedisit dhe sfidën ndaj ndryshimeve klimatike.

Ratifikimi i Amendamentit të Kigalit i hap rrugën Shqipërisë për reduktimin e përdorimit të HFC-ve si edhe për zbatimin e një plani për eliminimin e tyre.

Kjo do t’u sigurojë importuesve shqiptarë dhe përdoruesve të HFC-ve më tepër stabilitet në biznes si edhe do t’u japë mundësinë që të përgatiten për ndryshimet që tregjet ndërkombëtare.

“Ministri shqiptar për Turizmin dhe Mjedisin, Blendi Klosi ka luajtur një rol kryesor në procesin e ratifikimit të këtij amendamenti”, thotë Mimoza Vokshi, National Ozone Officer, ndërkohë që nënvizon edhe kontributin esencial të të gjithë aktorëve të tjerë, përfshirë UNIDO dhe UN Environment./  /sm/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.