Rritja ekonomike, Luçi: FMN për herë të dytë rriti projeksionet në 4,2%

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/- “Raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), si dhe raporti i Agjencisë së vlerësimit “Standard & Poor’s” që doli pak më vonë, konfirmojnë prirjet pozitive të ekonomisë shqiptare. Ndërkohë që FMN për herë të dytë, shtoi projeksionet për rritjen ekonomike nga 4% në 4,2%, duke konfirmuar trendin pozitiv që ekonomia shqiptare ka regjistruar vitin e kaluar”.

Kështu u shpreh zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Erjon Luçi, në një intervistë në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) ku ndër të tjera theksoi se, “në të njëjtën kohë njihet edhe ulja e konsiderueshme e borxhit publik nga të dy këto raporte, në rreth 67% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB)”.

“Qeveria shqiptare është e angazhuar që prej 5 vitesh në një strategji për forcimin e financave publike, ku edhe forcimi i monitorimit dhe i përvetësimit të planifikimit të Partneritetit Publik Privat (PPP) është një pjesë e rëndësishme, që ka marrë së fundmi një fokus të veçantë. Në bashkëpunim me FMN, Bakën Botërore dhe me partnerët tanë afatgjatë, Bashkimin Europian, kemi ndërmarrë një sërë asistencash të cilat synojnë minimizimin e rrezikut që mund të vijë nga PPP”, – theksoi Luçi.

Zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, u shpreh optimist për vazhdimësinë e trendit pozitiv të rritjes së investimeve të huaja në Shqipëri.

“Ne shpresojmë dhe mbetemi optimistë që investimet e huaja do të vazhdojnë të mbeten të larta, – tha ai, duke argumentuar se, – reformat që janë ndërmarrë në këto në vitet e fundit, kanë qenë të rëndësishme, si në drejtim të përmirësimit të sektorit të energjisë që është kyç për mbështetjen e biznesit, reforma për titujt e pronësisë dhe ajo e derregullimit, me kontribut në përmirësimin e klimës së biznesit dhe uljen e kostove për investitorët strategjikë që hyjnë në tregun shqiptar”.

Sa i takon raporteve ndërkombëtare mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare, Luçi theksoi se, një nga lajmet e mira është konfirmimi për uljen e borxhit publik.

“Ky tregues ka një rënie të konsiderueshme dhe konsolidimi fiskal është faktori kryesor që ka çuar në disiplinimin dhe uljen e borxhit. Ulja e borxhit publik bëhet pikërisht me qëllim për t’i hapur më shumë hapësirë investimeve në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë dhe për t’i lënë një barrë sa më të ulët brezave që vijnë”, – tha ai.

Duke u ndalur në çështjen e këmbimit valutor, Luçi tha se “kursi i këmbimit valutor në Shqipëri është fleksibël dhe pavarësisht luhatjeve, ndikimet që do të kenë biznese të ndryshme, janë pjesë e ndryshimeve të parametrave të ekonomisë. Fleksibiliteti është për të krijuar axhustimin e nevojshëm të ekonomisë. Ndërsa forcimi i lekut në raport me valutat ka për bazë përmirësimin e ekonomisë”. /e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.