Mbyllja e basteve, rreth 50 milionë dollarë u kursyen vetëm në janar

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ – Në janarin e këtij viti, rreth 50 milionë dollarë janë kursyer në shtëpitë e shqiptarëve, për shkak të mbylljes së kazinove elektronike dhe basteve sportive.

Kështu deklaroi sot zëdhënësja e Qeverisë, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në konferencën javore për shtyp.

“Në janar 2018 në bastet sportive dhe kazinotë elektronike janë shpenzuar zyrtarisht 1.3 miliardë lekë, pra 13 milionë dollarë. Një shifër e jashtëzakonshme. Nëse do të shtonim projeksionin e aktivitetit të bixhozit në të zezë, atëherë jemi në rreth 35 milionë dollarë shtesë. Në janar 2019 për shkak të ndalimit të bixhozit afro 50 milionë dollarë janë kursyer nga shtëpitë e shqiptarëve”, nënvizoi Spiropali.

Sipas saj, rezultojnë të mbyllura sipas bazës së të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të tatimeve dhe autoritetit të mbikëqyrjes së lojërave të fatit 4364 adresa, ku zhvillohej veprimtari bixhozi.

Spiropali tha se në dhjetor 2018 dhe janar 2019 rezultojnë të regjistruara 2688 biznese të reja të vogla, ku një pjesë e konsiderueshme janë të krijuara në mjediset e basteve sportive dhe kazinove elektronike.

Ne, vijoi ajo, jemi krenarë që me vendosmëri ndërhymë në këtë aktivitet të vesit, në këtë gosti që ushqehej kryesisht me të varfrit dhe të pamundurit në lagjet tona.

“Krijimi bizneseve të reja në ish-mjediset e bixhozit është dëshmia më qartë sesi ky ligj po rezulton në favor të shëndoshjes së ekonomisë dhe të çlirimit të familjeve shqiptare nga një barrë e rëndë ekonomike, sociale dhe psikologjike”, tha Spiropali.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për personat që kanë qenë të punësuar në këto pika baste dhe kazino, Spiropali theksoi se “të gjitha zyrat e punës janë në gatishmëri përmes një projekti të posaçëm për ripunësimin, ritrajnimin e gjithë personave që kanë qenë të punësuar në këto aktivitete”.

“Mund t’u them vetëm një fakt, shumica e këtyre punonjësve kanë qenë skllevër në këtë aktivitet se shumicën e të ardhurave që ata fitonin përmes punës, e linin po në këto qendra të basteve dhe kazinove”, theksoi ajo. Spiropali përfundoi duke theksuar se “për ne kjo është një mundësi për ta shndërruar aktivitetin në një aktivitet më të shëndetshëm për ekonominë në rastin konkret shumica e këtyre ambienteve janë kthyer në biznese të vogla që tashmë punësojnë njerëz”. /k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.