Komisioni për Ekonominë, dëgjesë me 4 kandidatët për kryetar bordi të AMF-së

TIRANË, 5 shkurt ATSH/ – Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi seancë dëgjimore me kandidatët për kryetar Bordi të AMF-së.

Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi sot seancë dëgjimore për plotësimin e vendit vakant, për kryetar Bordi të AMF-së me kandidatët: Pajtim Melani, Bilal Kola, Ardit Çollaku dhe Olsi Çoku.

Të katër kandidatët paraqitën përpara komisionit eksperiencën e tyre profesionale, duke u ndaluar më tej tek objektivat dhe risitë që do të sjellin në drejtimin e kreut të Bordit të AMF-së.

Gjatë fjalës së tij, Melani u shpreh se tregjet financiare që janë mbikëqyrur nga AMF-ja kanë pasur zhvillime pozitive. Sipas tij, për vitin 2018 e deri tani janë tregtuar më shumë se 21 milionë euro letra me vlerë dhe se tregu i pensioneve private ka pasur rritje vjetore në 26%. Melani tha se AMF është fokusuar në rritjen e besimit tek konsumatorët dhe investitorët, duke miratuar një strategji të posaçme.

Ndërsa, Olsi Çoku theksoi se nga AMF duhet edukim periodik i publikut, për instrumentet që mund të rrisin kapitalin, duhet rritje e besimit për qëndrueshmërinë e subjekteve financiare që shesin dhe blejmë tituj, dhe pasi konfirmohet besueshmëria, atëherë kompanitë mund të jenë gati për tituj privatë.

Bilal Kola dhe Ardit Çollaku prezantuan eksperiencat dhe përvojat në fushën e menaxhimit dhe shprehen bindjen se plotësojnë të gjitha kriteret për këtë pozicion.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.