Kërcënuan shtetasen dhe i morën para, arrestohen dy të dyshuar në Shkodër

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/- Finalizohet me sukses operacioni policori koduar “Para të paligjshme”, gjatë të cilit u arrestuan dy shtetas dhe u sekuestruan një shumë parash.

Strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, duke përdorur metodat speciale të hetimit arrestuan shtetasit: E. I., 35 vjeç dhe G. Gj., 37 vjeçe, banues në Shkodër.

Arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve u bë pasi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për një periudhë te gjate dyshohet se i kanë marrë me anë të kanosjes dhe kërcënimit një shumë monetare një shtetaseje.

Në momentin e arrestimit në flagrancë këtyre shtetasve u janë sekuestruar sasi lekësh, të dhëna si pasojë e kërcënimit dhe kanosjes së vazhdueshme.

Në përmbyllje të këtij operacioni policor nga tërësia e veprimeve të kryera, dy shtetasit e arrestuar, dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë e kryer në bashkëpunim”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.