FOTO/ Roskovec, punime intensive për rikualifikimin urban të qendrës së qytetit

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ – Në Roskovec po vazhdon puna për rikualifikimin urban të bllokut nr 2, për të përmirësuar aspektin vizual të qytetit dhe rritjen e funksionalitetit të kësaj hapësire në shërbim të qytetarëve.

Projekti financohet nga qeveria shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Në këtë qytet janë planifikuar një sërë ndërhyrjesh në të gjithë bllokun, ku përveç godinës së bashkisë janë pozicionuar një sërë institucionesh të rëndësishme si Komisariati i Policisë, institucione arsimore, etj.

Krahas ndërtimit të godinës së re të bashkisë, projekti parashikon rikonstruksionin e rrugës kryesore, që do të lehtësojë trafikun në zonën e bulevardit.

Bulevardi i Roskovecit do të rikonstruktohet me pllaka guri dhe do të shërbejë si zonë pedonale.

Fasadat e ndërtesave do të trajtohen tërësisht në të gjithë elementët përkatës, ndërsa përgjatë bllokut do të krijohen mjedise çlodhëse me kënde lojërash, hapësira rekreacioni, gjelbërim, etj.

I ndodhur në të dy anët e rrugës Berat-Fier ose anasjelltas Roskoveci mbeti autentik, origjinal në kulturën dhe etnosin e tij. Ai hyn te qytetet e vegjël të Shqipërisë, që njëlloj si shumica e tyre, edhe ai e mbart histori dhe vlera të patjetërsueshme, të cilat na vijnë deri më sot qysh nga antikiteti i hershëm.

I banuar herët si një nga stacionet kryesore të rrugës Egnatia, në Roskovec janë kryqëzuar gjatë të gjitha kohërave rrugët e komunikimit, qytetërimet, zhvillimet kulturore dhe bashkëjetesa midis komuniteteve.

Pikërisht në këtë hapësirë gjenden shumë nga vlerat natyrore, materiale dhe shpirtërore të kulturës shqiptare. Gjetjet arkeologjike, ngjarjet historike, folklori dhe monumentet, konfirmojnë traditën e vjetër dhe të re të këtij qyteti, që kanë se ç’të dëshmojnë. Sot Roskoveci përbën një tjetër realitet dhe si dikur është kthyer në një stacion pushimi për këdo që udhëton përgjatë tij, qoftë udhëtar vendas apo turist i huaj. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.