Fakulteti i Shkencave Sociale, rritet numri i studentëve në auditorë


TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ – Vijon mësimi në Fakultetin e Shkencave Sociale. Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale Edmond Rapti tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se numri i studentëve që po bëjnë mësim po rritet.

“Edhe sot për të dytën ditë radhazi po zhvillohet mësim në disa klasa këtu te Fakulteti i Shkencave Sociale. Nga informacionet që unë kam, nga dje deri sot pjesëmarrja e studentëve në auditorë po rritet. Gjithashtu edhe sot kanë ardhur studentë në zyrën time të cilët shprehin dëshirën për të bërë mësim. Por është edhe një grup studentësh të cilët vazhdojnë protestën, ju do t’i keni parë, ata qëndrojnë në oborr dhe në hollin e fakultetit”, tha dekani i Shkencave Sociale, Edmond Rapti për ATSH.

Një prej studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale tha për ATSH-në se dëshiron të rikthehet në mësim.

“Unë jam studente e vitit të parë, nuk kam informacion, sepse sapo erdha në fakultet dhe po shkoj të shoh nëse po bëhet mësim te grupi im apo jo. Unë kam ardhur për të bërë mësim. Jam dakord edhe me grevën që po zhvillohet, por sot kam ardhur për të bërë mësim. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.