Duhanpirja, faktor kryesor i kancerit të mushkërive në 80% të rasteve

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ – Rreth 80% e rasteve të diagnostikuara me kancer të mushkërive kanë si faktor kryesor duhanpirjen.

Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë në Vlorë ishin sot pranë të moshuarve për të rritur ndërgjegjësimin mbi eliminimin e faktorëve të rrezikut për kancer të mushkërive, si dhe për të sensibilizuar çdo qytetar mbi rëndësinë e konsultës me mjekun e familjes nëse vëren ndonjë nga simptomat e mundshme.

Por, cilat janë disa nga simptomat alarmuese?

– Kollë që përkeqësohet me kalimin e kohës;
– Kollë me gëlbazë, gjak prezent;
– Dhimbje të vazhdueshme kraharori;
– Vështirësi në frymëmarrje, humbje zëri;
– Dhimbje koke, dhimbje kockash;
– Lodhje më tepër se zakonisht;
– Humbje në peshë apo humbje oreksi;
– Infeksione të përsëritura pneumoni, bronkit.

“Kanceri mund të prekë çdo njeri në mënyra të ndryshme, por secili ka fuqinë për të vepruar dhe për të marrë masa në reduktimin e impaktit të sëmundjes tek individët, familjet dhe komunitetet”, thuhet në apelin e drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë në Vlorë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.