Alibeaj: Konfirmimi në detyrë i Prelës, tregon se Reforma në Drejtësi ka dështuar

TIRANË, 5 shkurt /ATSH – I. Vata/ – “Vendimi për mbajtjen në sistemin e drejtësisë të Donika Prelës është konfirmimi se reforma në drejtësi ka dështuar”, deklaroi sot nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

Alibeaj tha se drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, Donika Prela ka probleme me ligjshmërinë e pasurisë.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë gjetën se Donika Prela, brenda një kohe të shkurtër, ka shitur prona me çmim 4 herë më të lartë sesa i ka blerë, duke vënë në dukje se me të ardhurat e deklaruara nuk justifikohej as blerja lirë e disa apartamenteve. Vëzhguesit Ndërkombëtarë gjetën se bashkëshorti i Donika Prelës ka fshehur të ardhurat, ka punuar në të zezë, duke mos paguar taksat për shumë vjet, duke mashtruar shtetin shqiptar, me dyshimin e fortë të pastrimit të parave nga korrupsioni”, shprehet ai.

Po ashtu, deputeti i PD-së Alibeaj hedh dyshime në punën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

“Vendimi për Donika Prelën është marrë në konflikt të pastër interesi dhe në shkelje të plotë të ligjit, pasi nga verifikimi i kamerave të sigurisë të prokurorisë së krimeve të rënda, Komisioni i Vetingut do të kishte zbuluar se Donika Prela është takuar rregullisht me anëtaren e trupit të saj gjykues, Valbona Sanxhaktari në periudhën nëntor-dhjetor”, shtoi ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.