198 vendgrumbullime mbetjesh, do t’u kthehen qytetarëve

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/- Një nga qëllimet e fushatës “krijoO2tënd” është rigjenerimi i territoreve të dëmtuara, si pasojë e venddepozitimeve të mbetjeve urbane ilegale.

Kjo është arsyeja pse ministri Klosi u ndal në Krujë, në një zonë që ka qenë vend grumbullim mbetjesh, ndërsa sot është shndërruar në një lulishte, me pemë, lule dhe stola, si një mjedis i ri shplodhës që i shtohet qytetarëve të Krujës.

“Do të kërkojmë një rehabilitim të plotë të të gjitha venddepozitime të mbetjeve urbane, janë plot 198 të evidentuara si ky që po rehabilitojmë sot në Krujë për ta shndërruar nga një venddepozitim mbetjesh urbane në një park për qytetin. Ky është aksioni i parë dhe do të vazhdojmë në 61 bashkitë për të përcaktuar ku do të jenë vendet legale për bashkitë në bazë edhe të kritereve minimale për vendepozitimin, do të ndërtojnë landfillet e tyre të vegjël për të shkuar pastaj në zgjidhjet rajonale”, u shpreh ministri Klosi.

Sipas tij, ka ardhur koha për të gjitha baskitë që të kuptojnë se detyra e tyre nuk është vetëm për të pastruar qendrën e qytetit por për të menaxhuar të gjithë sistemin e mbetjeve urbane.

Klosi tha se për këtë inspektoriati i Mjedisit dhe të gjitha strukturat ligjzbatuese do të kërkojnë që bashkitë të veprojnë me shpejtësi për të rehabilituar venddepozitimet ilegale, si ky që ka qenë në mes të qytetit, një fatkeqësi do të thoja për të gjithë ata që duan që Kruja të jetë një zonë turistike.

Ministri foli edhe për guroret në këtë zonë, një shqetësim i kahershëm i banorëve.

“Së bashku me 3 ministri të tjera ne kemi ndërmarrë rehabilitimin përfundimtar dhe zhvendosjen e gjithë guroreve nga mali i Krujës, për të kaluar në një zonë tjetër dhe shpresojmë që brenda këtij muaji ne të përfundojmë të gjitha detajet për të filluar me fillimin e muajit mars, zhvendosjen e guroreve historike nga mali i Krujës, drejt një zone e cila është përcaktuar tashmë, por po negociohen detajet e fundit”, u shpreh Klosi.

Ministri Klosi bëri të ditur se zona e malit të Krujës do të kthehet në atraksionin më të bukur turistik të vendit.

“Do të ndërmarrim të gjitha masat që për mbjelljen e pemëve masivisht në zonën e malit të Krujës shumë shpejt kjo gërmadhë urbane dhe një katastrofë mjedisore të shndërrohet në atraksionin më të mirë dhe të më bukur turistik të vendit”, tha Klosi./k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.