Ligji “Për peshkimin”, sipas standardeve më të mira

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ – Ndryshimet në ligjin “Për peshkimin”, reflektojnë risitë sipas standardeve më të mira, por edhe sugjerimet nga grupet e interesit.

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi sot seancë dëgjimore me grupet e interesit lidhur me shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 64, dt. 31.05.2012 “Për peshkimin”, të ndryshuar”.

Të ftuar për këtë projektligj ishin Helidon Rugia nga Shoqata e Investitorëve të peshkimit Durrës, Besim Troplini nga Organizata e Menaxhimit të Peshkimit (OMP) Durrës dhe Arian Cinari nga OMP Shkodër.

Relatorja e këtij projektligji Eglantina Gjermeni, u shpreh se organizimi i kësaj seance dëgjimore është një mundësi shumë e mirë për hartimin e këtij projektligji, pasi marrin përshtypje, sugjerime dhe komente të ndryshme nga të ftuarit, që e prekin më nga afër këtë ligj.

Të ftuarit shkëmbyen eksperiencat e tyre dhe dhanë komente mbi projektligjin, si edhe sugjerime, të cilat i paraqitën edhe me shkrim në shërbim të komisionit.

Ndryshimet ligjore në sektorin e peshkimit synojnë ndër të tjera formalizimin e peshkimit artizanal dhe përmbushjen e standardeve bashkëkohore të këtij sektori me peshë të madhe në ekonominë e vendit dhe impaktiit që jep në rritjen e të ardhurave të familjeve që merren me këtë aktivitet dhe shtimin e numrit të të punësuarve. /e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.