KPA, shqyrtohet ankimimi i gjyqtarit Artan Zeneli ndaj vendimit të Vetingut

TIRANË, 4 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të zhvillojë sot një seancë gjyqësore me anëtarin e Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli, i cili ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit pas vendimit për shkarkimin nga detyra të tij.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të gjykojë sot në dhomë këshillimi ankimimin që subjekti i rivlerësimit Artan Zeneli ka bërë kundër vendimit Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga: Kryesues: Rezarta Schuetz, Relator: Ardian Hajdari. Anëtarë: Albana Shtylla, Ina Rama, Natasha Mulaj

Seanca në dhomë këshillimi do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ku pritet të merret dhe vendimi i trupës Gjykuese.

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli nuk kaloi Vetingun, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi në seancën e 18 korrikut 2018 shkarkimin e tij nga detyra.

Artan Zeneli ka nisur karrierën në vitin 1991 në Gjykatën e Krujës. Në vitin 1999, ai filloi të ushtronte profesionin e avokatit, ndërsa në vitin 2009 u rikthye sërish në sistemin gjyqësor dhe filloi punë në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2012, Artan Zeneli u emërua gjyqtar në Gjykatën e Lartë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.