Fillon grumbullimi i Kombëtares së Futbollit për moshat U-15

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ – Kombëtarja Shqiptare e Futbollit për moshat U-15 ka filluar ditën e sotme grumbullimin gjashtë ditor që po zhvillohet nën urdhrat e trajnerit Armand Dama. Në këtë grumbullim janë thërritur 25 lojtarë, të cilët janë ndjekur më parë në seleksionimet e zhvilluara brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Pas seancës së parë stërvitore, trajneri Dama ka folur për grumbullimin dhe planin e U-15 për vitin 2019.

“Gjatë këtij grumbullimi do të zhvillojmë seanca stërvitore dhe ndeshje miqësore me ekipin rajonal të “Durrësit” dhe “Elbasanit”. Qëllimi është që t’i bëjmë bashkë të gjithë lojtarët me cilësi, të punojmë shumë dhe të ndjejnë peshën e Kombëtares. Këto grumbullime do t’i rrisin gradualisht dhe besoj se është një grup i mirë me perspektivë për të furnizuar dhe grupmoshat e mëvonshme. Kemi elementë shumë cilësorë, kuptohet që janë të vegjël dhe në fazë zhvillimi, me lojtarë që mund të rriten dhe të përmirësohen më tej, por duhet ta theksoj se kemi elementë me shumë cilësi”, u shpreh ai.

Trajneri bëri me dije edhe disa nga miqësoret që pritet të zhvillohen për të parë ecurinë e lojtarëve të grumbulluar.

“Gjatë këtij viti do të zhvillojmë disa grumbullime, do të luajmë ndeshje miqësore me Maqedoninë dhe Kosovën. Do të marrim pjesë në një turne të UEFA-s për datëlindjet 2005. Mendojmë se do të ecim shumë mirë, është grup i mirë, po punuan mirë do të kenë sukses”, u shpreh trajneri Dama.

Kuqezinjtë e vegjël do të zhvillojnë të mërkurën një ndeshje miqësore me ekipin rajonal të “Durrësit” në orën 12:00, ndërkohë që të premten do të luajë ndeshjet e dytë miqësore me ekipin rajonal të “Elbasanit” në orën 10:30, ndërsa grumbullimi do të mbyllet ditën e shtunë në mesditë. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.