EANA i kërkon Merkel dhe Macron marrëveshje për të drejtën e autorit

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ – Aleanca Europiane e Agjencive të Lajmeve (EANA), ku Agjencia Telegrafike Shqiptare është anëtare me të drejta të plota, së bashku me një numër organizatash të tjera mediatike europiane, i ka dërguar një letër të hapur kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron ku kërkojnë arritjen e një marrëveshjeje mbi direktivën për të drejtën e autorit.

”Ne, presidentët e EANA-s (Aleanca Europiane e Agjencive të Lajmeve), EFJ-së (Federata Europiane e Gazetarëve), EMMA-s (Shoqata Europiane e Revistave), ENPA-s (Shoqata Europiane e Botuesve të Gazetave), EPC-së (Këshilli Europian i Botuesve), NMC-së (Koalicioni i Medias Informative) dhe NME-së (Media Informative e Europës) – duke përfaqësuar interesat e dhjetëra mijëra markave të lajmeve, gazetave, revistave, agjencive të lajmeve dhe gazetarëve në të gjithë BE-në, kemi ndjekur me shumë interes diskutimet mbi propozimin për një Direktivë mbi të Drejtën e Autorit në tregun e vetëm dixhital”, thuhet në këtë letër të hapur.

”Platformat online përdorin zakonisht përmbajtjen e botuesve dhe agjencive të lajmeve për të gjeneruar të ardhura nga reklamat dhe për të rritur angazhimin në shërbimet e tyre pa asnjë kompensim për gazetarët, agjencitë, botuesit të cilët janë ata që zotërojnë dhe prodhojnë përmbajtjen, investojnë në të ardhmen e gazetarisë dhe mbajnë përgjegjësinë editoriale dhe ligjore për këtë përmbajtje”, shtohet në të.

”Pa një mbrojtje të qartë ligjore për përmbajtjen e botuesve të shtypit siç është propozuar në nenin 11, qëndrueshmëria e shtypit të pavarur dhe gazetarisë profesioniste është në rrezik, prandaj ligjvënësi europian duhet të korrigjojë çekuilibrin ekzistues në ekosistemin online”, thekson letra.

”Si rrjedhojë, ne fuqimisht mbështesim përpjekjet e BE-së për të prezantuar trajtimin e drejtë dhe për të siguruar që platformat online të shpërblejnë prodhuesit e përmbajtjes, gazetarët dhe mediat në mënyrë adekuate. Shtatorin e kaluar, Parlamenti Europian votoi me shumicë dërrmuese pro fuqizimit të të drejtave të autorit për botuesit e shtypit, gazetarët dhe agjencitë e lajmeve duke garantuar mbrojtjen e fragmenteve shumë të shkurtra të botimeve të shtypit. Ky ishte një sinjal i fuqishëm demokratik për shtetet anëtare për të ecur përpara me reformën”, shton ajo.

”Negociatat kanë arritur një pikë kritike dhe jemi thellësisht të shqetësuar se dështimi i Gjermanisë dhe Francës për të arritur një marrëveshje në ditët në vijim mund të rrezikojë të gjithë reformën e të drejtave të autorit në BE. Ju kërkojmë me respekt që të veproni tani dhe të arrini një marrëveshje në kohë mbi direktivën për të drejtën e autorit në mënyrë që të mos rrezikoni një reformë që është çelësi për të siguruar qëndrueshmërinë e një shtypi të lirë dhe të pavarur që është në zemër të demokracive tona”, përfundon letra e presidentëve të këtyre organizmave mediatike./ /sm/ a.jor. 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.